Pas afatit të vendosur nga IKMT për lirimin e banesave të tyre, kjo e fundit ka nisur aksionin për prishjen e 33 objekteve, 8 prej të cilëve ditën e sotme në zonën e “Astirit” për t’i hapur rrugë ndërtimit të aksit të Unazës së Re.
Banorët kanë kaluar natën jashtë pasi ishin paralajmëruar se dje do të ishte afati i fundit për të liruar banesat.
Ata kanë nisur të qëllojnë me gurë drejt forcave të Policisë të cilat, janë të pranishme për të garantuar punonjësit e IKMT që të vazhdojnë prishjen e banesave.
Policia e Shtetit ka përdorur edhe gaz lotsjellës për të shmangur incidentet, ndërsa ka shoqëruar 10 protestues, mes tyre edhe aktivistin Ervin Goci.
Nga tensionet e krijuara kanë mbetur të lënduar 4 punonjës policie dhe 6 banorë të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar nisjen e aksionit për shembjen e 33 objekteve në zonën e Astirit.
IKMT njofton se janë shpronësuar 21, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit.
“IKMT nis aksionin tek “Astir” Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e sotëm prishjen e një sërë objektesh në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, Loti I. Janë 33 objekte që do të prishen, prej të cilave 21 janë shpronësuar, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. Objektet variojnë nga një deri në katër kate. IKMT mbështetet në këtë aksion nga policia e shtetit”, njofton IKMT.