MENU
klinika

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Pensionet private/ Tregu është rritur me 20%

24.11.2019 - 15:54

Tregu i pensioneve private vijoi rritjen me të njëjtat ritme edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet neto të tregut arritën vlerën e 2.75 miliardë lekëve ose rreth 22 milionë eurove.

Që nga fillimi i vitit, aktivët e tregut janë rritur me 20%. Pavarësisht rritjes me përmasa të konsiderueshme, në volume tregu vazhdon të ketë përmasa mjaft modeste. Tregu ka një madhësi më domethënëse sipas numrit të kontribuesve.

Në fund të muajit shtator, fondet private të pensioneve numëronin rreth 27,300 kontribues, në rritje me afërsisht 8% që nga fillimi i vitit. Në vitet e fundit, ekziston një ndërgjegjësim më i lartë për të investuar në një pension privat, si një kursim i domosdoshëm për të kompensuar rënien e të ardhurave në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Një numër në rritje shqiptarësh po investojnë për një pension privat, qoftë në rrugë individuale apo në kuadrin skemave profesionale të punëdhënësve. Por, fakti që asetet e fondeve ende kanë përmasa modeste dëshmon se shumat mesatare të investuara janë ende shumë të ulëta.

Në fund të shtatorit, asetet mesatare neto për çdo kontribues kishin vlerën e rreth 850 eurove. Kjo tregon se, veç nevojës për të zhvilluar më tej kulturën, edhe mundësitë për të kursyer në shërbim të pensionit janë të kufizuara, por të kemi parasysh se paga mesatare bruto e shqiptarëve vitin e kaluar llogaritjen në rreth 410 euro në muaj.

Zmadhimi i tregut të pensioneve, veç nevojës për të rritur mirëqenien dhe ndërgjegjësimin, mund të përmirësohet edhe përmes rritjes së incentivave fiskale.

Aktualisht, kontributet në pensione private nuk tatohen deri në një shumë prej 200 mijë lekësh në vit, por sidoqoftë jo gjithmonë ky përjashtim nga tatimi përfitohet, për arsye të mungesë së njohurive nga kontribuesit, ashtu dhe për arsye të natyrës burokratike, që lidhen me mënyrën sesi duhet bërë derdhja e kontributeve.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe kompanitë prej vitesh kërkojnë rritjen e shumës së kontributreve që përjashtohet nga taksat.

Gjithashtu, ata kërkojnë që në momentin e përfitimit të pensionit privat, qytetarët të mos tatohen për gjithë pensionin, por vetëm për të ardhurat shtesë nga investimi i kontributeve.