MENU
klinika

Trajneri i Kosovës

“Për në Europian, nuk mjafton vetëm shpirti”

11.11.2019 - 13:26

Përfaqësuesja e Kosovës do të tentojë të bëjë mrekullinë në dy “finalet” kualifikuese të Europianit, aty ku fillimisht do të udhëtojë për të luajtur ndaj Republikës Çeke, teksa më pas do të presë në shtëpi Anglinë.

Në prag të këtyre ndeshjeve, para mediave ka dalë trajneri Bernard Challandes, i cili u shpreh se është nder për të që është pjesë e skuadrës, teksa foli edhe për imazhin e Kosovës.

“Unë dua të fitoj, kjo është e qartë. 1-0 ose 2-1 për ne do të ishte e kënaqshme. Nuk do të kishte shumë rëndësi. Ne kishim rezultate mjaft të mira dhe të gjithë janë të lumtur.

Ndonjëherë, kur nuk ke rezultate të mira, të gjithë janë të pakënaqur, sidomos me trajnerin. Në Zvicër fillimisht kanë qenë skeptikë, por tani kur e shohin se si jemi duke kaluar, më thonë se e ke bërë zgjedhjen e duhur.

Unë jam i lumtur që jam këtu. Tani ata vijnë t’i shohin ndeshjet. Ju pëlqen ushqimi dhe atmosfera në Kosovë. Nuk e ka pasur imazhin aq të mirë Kosova, bashkëshortja dhe miqtë e kanë kuptuar se përse e kam marrë punën te Kosova.

Unë mund të flas për kënaqësi, për nder, ka qenë kënaqësi të jem këtu, me këtë ekip, me këta lojtarë, të jem në këtë vend. Periudha më e kënaqshme për mua në karrierë. Nuk mund ta konsideroj ende si më të suksesshmen.

Kemi qenë të befasuar me fitoren e Çekisë ndaj Anglisë, por e ka merituar. Mentaliteti i lojtarëve tanë është lart, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Nëse dëshiron të shkosh në Evropian, nuk mjafton shpirti. I rëndësishëm është mentaliteti teknik, kualiteti, taktika, sulmi, mbrojtja, mesfusha. Ne duhet të luajmë futboll. Të luajmë mirë së bashku.

Unë nuk flas për dobësitë e kundërshtarit. I kam parë të gjitha ndeshjet e tyre. E kam parë edhe dy herë ndeshjen e parë që e kishim ndaj çekëve.

Ne kemi fituar, të gjithë ishin të lumtur, por nuk e kanë analizuar lojën. Dy muaj më vonë e kam parë lojën dhe nuk mendoj se duhet të luajmë më mirë, jo si në atë ndeshje. Gjithçka nis me mentalitetin, është baza.

Vedat Muriqi ka luajtur në Rizespor, por e tregoi nivelin e tij edhe në Fenerbahçe. Ka pasur ndikim pozitiv transferimi i tij te Feneri. Jemi të kënaqur me zhvillimin e tij. Ai është paksa i lënduar, po flasim me të. Ka dhimbje, por është më mirë. Shpresojmë që deri të dielën të jetë OK.

Është e rëndësishme të luajmë njëjtë, të mos ndryshojmë në dy ndeshjet përcaktuese. Presioni është rrezik. Ne duhet të jemi të qetë, të luajmë futboll. Ne duhet të jemi ‘cool’, ta shijojmë lojën, të kënaqemi. Kur kanë nisur kualifikimet askush nuk ka menduar se do të jemi këtu sot. Pra, mos të jemi pa emocione, por të luajmë pa presion.

Nëse do të isha Uilliam Shekspir, do të thojaa “të jesh apo të mos jesh”. Por, unë nuk mendoj kështu. Nëse e kujtojmë shortin, kemi thënë se do të luajmë për të përparuar, të zhvillohemi, të ecim përpara, por jo t’i vëmë vetes presion”, – përfundoi Challandes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN