Nga Kosova vjen lajmi më i keq i mundshëm para dy ndeshjeve të fundit eliminatore të Euro 2020, ku shanset janë akoma për të marrë pjesën në Europianin e ardhshëm.
Sulmuesi i “Dardanëve”, që po spikat edhe te Fenerbahce në Turqi, Vedat Muriqi, nuk mund t’i ndihmojë shokët e ekipit ndaj Çekisë dhe Anglisë.
“Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen.
Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këtë ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve mjekësore të bëra dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër, ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundur të ndodhë.
Për çdo ndryshim eventual në gjendjen e futbollistit dot’iu informojmë me kohë” – është njoftimi nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Kujtojmë se 24-vjeçari ka shënuar 4 gola për Kosovën në këtë fushatë eliminatoresh, gjatë 540 minutave lojë aktivizim. Kombëtaret e ndëshkuara nga “bisha” e sulmit të Bernard Challandes janë Mali i Zi, Anglia, Bullgaria dhe Republika Çeke.