MENU
klinika

Tifogrupi, të tjera ndihma

“Plisat” pas aktit human: Shqipëri të qofshim falë!

29.11.2019 - 17:34

Tifogrupi prishtinas “Plisat” ishte i pari së bashku me “Tifozat Kuq e Zi” që morën nisma konkrete ndihme për të prekurit nga tërmeti që përfshiu Shqipërinë të martën në mëngjes.

Ata e kanë nisur aksionin e tyre prej ditës së parë të fatkeqësisë, teksa kanë bërë thirrje qytetarëve në Prishtinë për të mbledhur sa më shumë ndihma.

Ndërkohë, janë kujdesur që disa familje t’i akomodojnë në Kosovë. Ditën e sotme në faqen e tyre zyrtare në rrjetet sociale, tifogrupi ka njoftuar se ka dorëzuar të gjitha ndihmat e grumbulluara.

Grupimi falënderon qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës që iu përgjigj thirrjes së tyre. “Plisat” ndërkohë, theksojnë se tashmë aksioni për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti do të vazhdojnë në forma të tjera në koordinim edhe me autoritet shtetërore.

“Nuk kemi fjalë ta shprehim falënderimin që kemi per qytetarët e Prishtinës e tërë Kosovës për mënyrën si janë përgjigjur ndaj kërkesës sonë për ndihmë.

Përvec tragjedisë që na ka kapur të gjithëve, jemi tejet të emocionuar me afërsinë që e kemi ndjerë ne si grup me të gjithë juve. Pas një aksioni maratonik të Plisave, sot pas konsultimeve me autoritetet shtetërore, të gjitha ndihmat e grumbulluara i kemi dorëzuar në kampin e krijuar në Prizren.

Mbrëmë një pjesë të madhe të ndihmave i kemi dorëzuar në familjet e strehuara nëpër Kosovë, në kampin e Prizrenit, në depon e Halil Kastratit e gjithandej ku shfaqej nevoja.

Sot, nga salla 1 tetori i kemi dorëzuar të gjitha ushqimet, veshmbathjet dhe gjërat higjienike në kampin e Prizrenit dhe tani për tani përfundon aksioni ynë i kësaj forme.

Ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha format e tjera, të cilat na kërkohet, në koordinim me autoritet shtetërore që tashmë duhet ta marrin situatën në kontrolle. Shembull i tillë ishte dërgimi i psikologëve në Shqiperi për trajtimin e të prekurve.

Për të gjitha veprimet tona të radhës do t’ju njoftojmë me kohë. Përherë të bashkuar, përherë të gatshëm të shërbejmë për shqiptarët kudo që janë. Shqipëri të qofshim falë! Kosova është Shqipëri!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kosova mbështetje vëllazërore

“Plisat” rrugës për Shqipëri