MENU
klinika

Rritet kërkesa për bizhuteri luksi

A po jeton Shqipëria në “kohën e diamantëve”?

12.11.2019 - 12:19

Kërkesat e shqiptarëve për bizhuteritë po rritet gjithnjë e më tepër, kjo vlen dhe për të ardhurat e tyre.

Kjo është arsyeja pse specialistët pëlqejnë ta qujnë “koha e diamantëve”. INSTAT raporton për rritje të importeve të gurëve të çmuar dy vitet e fundit, ndërsa argjendarët pohojnë se kanë tashmë një gamë të gjerë të bizhuterive të luksit, ku kryeson diamanti.

Shqipëria ka evoluar dëshirën për të bukurën, gurë të çmuar dhe luksin. Aktorët kryesorë të tregut pohojnë se ekziston një treg të vogël sa i përket fuqisë blerëse.

Gurët e çmuar dhe tregu i tyre në zgjerim

Por, zgjerimi i tregut has vështirësi. Duke parë rritjen e kërkesës për blerje bizhuterish me gurë të çmuar, rriten edhe rastet e mashtrimit me cilësinë. Drejtuesit e argjendarive në kryeqytet tregojnë se edhe tregu informal krijon probleme në këtë treg, duke qenë se blihen me një çmim të ulët bizhuteri që reklamohen me “gurët e çmuar”, origjina dhe cilësia e të cilëve nuk verifikohet.

Në mungesë të njohurive, shqiptarët gënjehen dhe blejnë produkte të paafirmuara. Shqipëria nuk ka një bursë të mirëfilltë për diamantin. Duke mos ekzistuar, diamanti blihet në treg të zi. Shumë prej argjendarëve të vjetër në Tiranë, kanë studiuar jashtë për të njohur dhe për të certifikuar cilësinë e diamantit, të jenë korrekt me çmimin e blerjes dhe me garancitë që do të japin për atë lloj produkti. Sfida është që punojnë në një treg të parregulluar strukturalisht. Kjo sjell vështirësi.

Shifrat e Importeve- Importet në rritje

Italia përbën 73% të totalit të diamanteve të importuara në Shqipëri. Fqinji ynë përtej Adriatikut është partneri kryesor tregtar për këtë kategori produktesh, e njëjta tendencë si për floririn apo platinin, metalet e çmuara. Sipas shifrave të analizuara të INSTAT, në 2018 është rritur importi i gurëve të çmuar në Shqipëri. Shifrat tregojnë për një rritje të ndjeshme me rreth 3%, për 11-mujorin 2018.

Gurët e çmuar që tregtohen edhe në Shqipëri, sipas vendeve të origjinës:

Smeraldet: Egjipt, Austri, Afganistan, Brazil etj.

Safirët: Sri Lanka, Tajlandë, Australi dhe Kamboxhia

Akuamarinë: Brazil, Zambia, Mozambik, Angola, Nigeri, Afganistan

Rubinë: Mianmar

Diamante: Kanada, Amerika e Jugut, Afrika e Jugut dhe ajo Lindore, Indi, Rusi, Australi, Azia Lindore etj.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Për këtë periudhë, vlera e importuar ka arritur 1.5 mld lekë, ndërsa gjatë vitit 2017 vlera ka qenë rreth 630 mln lekë. Për këtë rritje të vlerës së importeve, edhe argjendarët në kryeqytet dëshmojnë që kërkesat kanë qenë më të larta vitin e shkuar dhe parashikojnë një tjetër vit të mirë në blerjet e bizhuterive me gurë të çmuar. Sipas tyre, ka bizhuteri me vlera të ndryshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë një të tillë, duke kurorëzuar diamantin si më të shtrenjtin në mesin e tyre.

Në shtetet kryesore nga ku importojmë kategorinë e gurëve të çmuar, pas Italisë, vjen Kina, Gjermania dhe Zvicra, ndjekur nga Vietnami, Greqia dhe Belgjika.

Problematika

Tregtarët e vegjël pohojnë se për të ndjekur këtë tendencë të viteve të fundit, punojnë edhe me gurë imitacion të origjinalëve. Sipas tyre, gurët e unazave zakonisht janë gurë zirkon, imitacione brilantesh, akuamarinë, smerald dhe zafir. Edhe pse në 10 vitet e fundit kanë nisur të shiten gurë të çmuar dhe diamante, tregu në Shqipëri është shumë i vogël, pohojnë disa nga tregtarët e vegjël për “Monitor”.

Ata shtojnë, që ka më tepër kërkesa për blerje gurësh të çmuar ose bizhuterive të formuara me to, në raste festash ose në verë, megjithatë, këta blerës përbëjnë një përqindje shumë të vogël krahas totalit. Guri më i kërkuar është akuamarina. Ndaj në dyqane të vogla të lagjeve të kryeqytetit, tregtarët pohojnë se kanë unaza me gurë që u ngjajnë gurëve të çmuar, për të cilat ata i vënë në dijeni blerësit, të cilët duan të blejnë diçka të bukur, me pak para. Unazat më të shitura në argjendaritë e kryeqytetit, janë ato me gur akuamarinë, si dhe varëset me gurë të vegjël.

Tregtarët e vegjël pohojnë se diversifikimi i produkteve është diçka që ata përpiqen ta bëjnë prej vitesh, duke ofruar edhe stoli me gurë imitacion apo edhe produkte floriri me karat të ulët, për t’i dhënë mundësi çdo kategorie njerëzish që të blejnë. Ata ‘ankohen’ se tatimet dhe taksat janë të larta, qiratë e dyqanit gjithashtu, si dhe një kategori bizhuterish, kineze, të cilat e dëmtojnë tregtinë e tyre

Çmimet

Një unazë me gurë akuamarinë, kushton rreth 700 euro, ndërsa me imitim guri te 20 mijë lekë, në një unazë floriri 14 karat. Megjithatë, çmimi varet nga madhësia e gurit dhe pastërtia e tij. Në lidhje me kërkesat për unaza me gurë të çmuar, pronarët e argjendarive thonë se “i kanë të paktë klientët, pasi dhe ata që kanë mundësi t’i blejnë këto bizhuteri parapëlqejnë t’i blejnë nëpër udhëtime jashtë shtetit”. Në Shqipëri ekzistojnë dy lloje bizhuterish, ato që punohen e prodhohen në vend, si dhe bizhuteri të gatshme që vijnë nga vende si Italia, Greqia apo Turqia.

Një unazë me gurin më pak të kushtueshëm, flori 18-karatësh me gur akuamarinë kushton 800-1000 euro. Çmimi i një unaze me gurin më të kushtueshëm, flori 18-karat me gur diamant, nis nga 1500 euro

A është diamanti një investim i rrezikshëm?

Kjo varet nga sasia e tij dhe luhatjet në prodhimin dhe nivelin e cilësisë. Vlera e saj është në rritje në periudha afatmesme dhe afatgjatë. Për shembull, në vitin 1960, një karat është vlerësuar me 2,700 dollarë. Ndërsa tani ka një vlerë deri në një maksimum prej 31.000 dollarësh në varësi të llojit të gurit dhe shkallës së pastërtisë.

Në të njëjtën kohë, në tregun e diamantit lindin edhe trazirat financiare dhe gurët janë sigurisht produkte të sigurta që futen te pasuritë e patundshme, ashtu si ari apo pronat e mëdha.