Raportet e Edi Ramës me Albin Kurtin kanë qenë të mira për aq kohë sa Kurti ka qenë në rolin e një idealisti panshqiptar me vokabular të periudhës së Rilindjes të shekullit të ’19. Rama e shikonte me njëfarë lezeti Kurtin: një çapkën simpatik që e dëfren popullin me fjalë të mëdha patriotike.
Situata ndryshoi kur Kurti kundërshtoi ndryshimin e kufijve të Kosovës, kur insistoi që Rama të mos jetë pjesë e rrjetit të oligarkëve ballkanikë dhe kur Rama nisi ta fajësojë Albin Kurtin për protestat studentore në Tiranë. Pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit Kurti është shndërruar në konkurrent serioz të Ramës në dominimin e debateve publike.
- Nga Enver Robelli
Prej se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në verën e vitit 2018 doli para mediave dhe nisi të propagandojë idenë e tij për korrigjimin e kufijve të Kosovës, marrëdhëniet mes politikanëve të Prishtinës dhe Tiranës janë acaruar.
Ndër të parët që kundërshtoi Thaçin ishte Sali Berisha. E kundërshtoi me gjuhë robuste dhe Thaçi ia ktheu me tarifë edhe më brutale. E akuzuan njëri-tjetrin se janë agjentë të Serbisë. Berisha la të kuptohet që Thaçi është arrestuar në Tiranë në vitet ’90 pas një krimi ordiner, Thaçi e etiketoi Berishën si strehues të Osama Bin Ladenit.
***
Pastaj i erdhi radha kacafytjes mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt (i cili gëzon mbështetjen e presidentit Ilir Meta). Që Rama nuk ka ndonjë mendim të lartë për Haradinajn, këtë nuk e ka fshehur. Në sytë e Ramës Haradinaj nuk është i bërë të luajë rol në ligën e parë të politikës. Për këtë arsye edhe e ka shpotitur Haradinajn për mënyrën e artikulimit të gjuhës shqipe. Haradinaj e ka akuzuar Ramën se do të përfitonte miliarda nga shitja e Kosovës – bashkë me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin. Rama ka paralajmëruar padi kundër Haradinajt. Do të jetë spektakël nëse ndonjëherë mbahen seanca gjyqësore për këtë rast.
***
Tema e korrigjimit të kufijve ka ftohur raportet edhe mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Pas fitores së Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës, pyetja është kjo: a mund të ketë komunikim normal mes dy kryeministrave (nëse Kurti arrin të marrë besimin e shumicës parlamentare për t’u bërë kryeministër)? Duhet të ketë, patjetër, sepse as kryeministri në Tiranë, as ky që (eventualisht) do të zgjidhet në Prishtinë nuk janë persona privatë, por politikanë me mandat demokratik për të përfaqësuar shtetet e tyre.
***
Edi Rama nuk ka bërë pak për ta polarizuar shoqërinë në Kosovë. Ai ka menduar se mjafton të pozicionohet në favor të idesë së presidentit të Kosovës për prekjen e kufijve dhe gjërat do të rrjedhin si duhet. Për Ramën më e rëndësishme ka qenë që idenë e prishjes së kufijve të Kosovës po e përkrahin analistë e lobistë si Ivan Krastevi dhe Wolfgang Petritschi se sa çfarë mendon opinioni kritik në Kosovë. Rama po ashtu e ka nënçmuar tej mase aversionin e krijuar në Kosovë ndaj figurës së Thaçit.
***
Në vend të pozicionimit arrogant për një ide që përçan jo vetëm shqiptarët, por edhe bashkësinë ndërkombëtare, Rama është dashur të apelojë që liderët në Kosovë të arrijnë një konsensus: çka duan ata nga bisedimet me Serbinë? A është tabu prekja e kufijve të Kosovës? Nëse po, cila është oferta tjetër në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia? Sepse Kosova ia ka bërë një ofertë Serbisë dhe serbëve të Kosovës: asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi një pjesë të madhe të kësaj marrëveshjeje, politikanët në Prishtinë u bënë sikur nuk kanë qenë negociues e nënshkrues të marrëveshjes për asociacionin.
***
Raportet e Edi Ramës me Albin Kurtin kanë qenë të mira për aq kohë sa Kurti ka qenë në rolin e një idealisti panshqiptar me vokabular të periudhës së Rilindjes Kombëtare të shekullit të ’19. Rama e shikonte me njëfarë lezeti Kurtin: një çapkën simpatik që e dëfren popullin me fjalë të mëdha patriotike, por boshe. Situata ndryshoi kur Kurti kaloi në terrenin konkret. Kur e kundërshtoi ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe me këtë edhe Ramën. Kur insistoi që Rama të mos jetë pjesë e rrjetit të oligarkëve ballkanikë ku bëjnë pjesë politikanë e biznesmenë nga Serbia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi. Situata ndryshoi kur Rama u ballafaqua me protestat studentore në Tiranë. Për dështimet e tij në qeverisje Rama u përpoq ta fajësojë Albin Kurtin: e akuzoi se po i përkrah protestat studentore në Tiranë. Natyrisht që kjo ishte një hipokrizi.
***
Pse? Sepse, sipas Ramës, politikanët e Kosovës, përfshirë edhe Kurtin, nuk bën të thonë asgjë kundër oligarkisë në Tiranë. Ndërsa Rama mund të vijë në Prishtinë, të futet në parlament dhe me gjuhë aspak dinjitoze të përpiqet të rishkruajë historinë e Kosovës, ku Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fehmi Agani, Gazmend Zajmi e Ibrahim Rugova nuk luajnë rol, sepse gjithçka nisë e mbaron me Hashim Thaçin (dhe Rexhep Qosjen). Njerëzit në Kosovë kanë aversion ndaj urdhërdhënësve të tillë nga Tirana. Dhe kanë të drejtë.
***
Raportet mes Kurtit dhe Ramës mund të përmirësohen kur Kurti do ta kuptojë edhe më shumë se deri se e ka marrë besimin e shumë qytetarëve për ta bërë Kosovën shtet funksional dhe për asgjë tjetër – dhe kur Rama ta kuptojë se nuk është «babai i kombit». Sepse këtë rol Kosova nuk ia ka dhënë në vitet 90-të as Sali Berishës.
***
Në Tiranë qeveria socialiste kontrollon pothuaj gjithçka – institucionet kryesore (drejtësi, polici, shëribme sekrete), ekonominë shqiptare, tenderët, shumicën e mediave. Opinioni kritik në Shqipëri është neveritur nga ky dominim, por masa kritike nuk është aq e madhe për të bërë të mundshëm një ndryshim, kjo edhe për shkak të shkapërderdhjes së opozitës shqiptare të prirë nga Partia Demokratike, e cila nuk po arrin t’i lajë mëkatet e së kaluarës. Në këtë situatë Albin Kurti shihet si një shembull ndryshe, pozitiv, si politikan i pakorruptuar (koha do ta tregojë nëse ai personalisht dhe rrethi i tij do të mbesin të pastër kur të kontrollojnë vegshat e pushtetit). Befas nuk po bëjnë më përshtypje as «dimitë» e Edi Ramës, as «patikat» e tij, por po bën përshtypje në Tiranë diskursi, oratoria dhe retorika e Kurtit. Brenda tri dekadave Kosova arriti të nxjerrë në sipërfaqe dy politikanë që gëzojnë respekt në Tiranë: Ibrahim Rugovën (mes viteve 1989-2006) dhe tani Albin Kurti.
***
Frika e Ramës nga aura e Kurtit është reale. Fishkëllimat në stadiumin «Air Albania» nuk janë komplot i opozitës joekzistente shqiptare. Janë mllef i një rinie që është ngopur me dokrra e fasada. Mizoria e qeverisë socialiste në Tiranë ka shkuar aq larg, saqë këto ditë i kanë varur në bulevardin kryesor të Tiranës dhe portretet e disa kriminelëve më të kaluar partizane, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore vunë themelet e diktaturës komuniste, u vranë në aksione ndëshkuese ndaj popullsisë civile antikomuniste ose humbën jetën në ngatërresa private. Këta kriminelë nuk janë heronj. Manipulimi i historisë, revizionizmi historik, mosndëshkimi dhe mostrajtimi i së kaluarës e mbajnë peng Shqipërinë. Me shërbëtorë të diktaturës nuk ndërtohet demokracia.
Sa i përket diktaturës shqiptare: Albin Kurti duhet të distancohet qartë, sepse çdo hamendje dhe çdo arsyetim («regjimi komunist elektrifikoi Shqipërinë», «arsimoi gratë» etj.) vetëm mund të shkaktojë neveri.