MENU
klinika

"Gjithmonë mirënjohës"

Refugjati i vogël sot ushtari i Kosovës në Thumanë

28.11.2019 - 15:36

      Shqipëria u godit nga një tërmet me 6.4 shkallë Rihter, mëngjesin e të martës. Ky tërmet mori jetën e shumë njerëzve, lëndoi shumë të tjerë dhe nën rrënojat e ndërtimeve të shkatërruara vazhdojnë të jenë ende shumë njerëz.

Thumana dhe Durrësi ishin dy qytetet më të prekura nga lëkundjet e tokës, të cilat vazhdojnë edhe sot por me Rihter më të ulët.

Për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në këtë situatë shumë të vështirë për t’u përballur nga Kosova shkuan shumë policë, ushtarë e zjarrfikës, duke mos harruar edhe njerëzit vullnetarë.

Një gjë e veçantë ndodhi me njërin nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës, raportojnë mediet në Kosovë.

Hasan Mulaj është pjesëtari i PK-së, që në vitin 1999, ishte refugjat në Kukës, aty ku kërkoi ndihmë kur Kosova po përballej ishte në gjendje lufte.

Dyert e mikpritjes dhe mirësisë, Hasanit iu hapën në vitin 1999, në Shqipëri, ndërsa ai këtë herë shërbeu në Thumanë, për të kthyer të mirën 20 vjet më vonë.

“I njëjti destinacion, i njëjti qëllim. Dora për ndihmë. 20 vjet më parë për ta kërkuar, 20 vjet më pas për ta kthyer. Gjithmonë mirënjohës”, – u shpreh Mulaj nga Skenderaj.