Nesër Shqipëria do të luajë ndaj Francën, që përkon edhe me përurimin e stadiumit “Air Albania”. Testi i parë i këtij impianti të ri u krye para një jave, në sfidën e femrave, Vllaznia-Apolonia, por nesër është prova e së vërtetës.
Por tashmë janë disa rregulla që duhen zbatuar nga tifozët. Rregulli që nuk ishte praktikuar më parë ka të bëjë me ndalimin e një vesi për shumë tifozë shqiptarë, ngrënia e farave në stadium.
Në “Air Albania Stadium” farat janë të ndaluara. Gjithashtu, tifozët nuk mund të hyjnë në stadium me jelekë fosforeshentë pa logon përkatëse.
Biletat e ndeshjes do të kontrollohen përkundrejt kartës së identitetit, rregull i cili mund të zbatohet në vijim edhe për ndeshjet e kampionatit shqiptar, që pritet të zhvillohen në këtë impiant, kryesisht derbi i kryeqytetit.
Nëse në stadiumet e tjera është lejuar që të futen shishet e ujit pa tapë, tani lëngjet ndalohen që të futen nga porta e stadiumit, pasi ato mund të blihen në ambientet e shërbimit që ofron impianti i ri.
Rregullat që duhet të dinë tifozët:
- Do kontrollohet karta e identitetit dhe bileta. Gjithashtu do të ketë kontroll fizik të tifozëve;
- Nuk lejohen të futen në stadium tifozë me jelekë të paloguar;
- Nuk do të lejohen tifozët që mbajnë çanta shpine, çadra, çakmakë, aparate fotografikë apo kamera, e gjithashtu fara luledielli.
- Uji dhe pijet e tjera nuk do të lejohen të futen nga jashtë stadiumit, pasi tifozët kanë mundësinë t’i blejnë në tribunat përkatëse, ku do të ketë shërbim katering.
- Mjete piroteknike, si flakadanë, fishekzjarrë, kapsolla apo tymuese janë rreptësisht të ndaluara.
- Tifozëve u ndalohen edhe vuvuzelat, boritë, bilbilat dhe lazerat.
- Flamujt dhe simbole të tjera kombëtare do të lejohen vetëm me shkopinj plastikë.
- Janë rreptësisht të ndaluara banderolat me përmbajtje politike.