Në fshatin Palokastër banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Gjirokastër të marrë masa për rehabilitimin e rrugës kryesore pasi në të kundër rrezikojnë që dimrin ta kalojnë të izoluar.
Kjo rrugë që rrezikon shembjen për shkak të erozionit është e vetmja që lidh fshatin Palokastër me Gjirokastrën.
Mungesa e investimeve por edhe reshjet e shiut të ditëve të fundit e kanë kthyer në një aks tejet problematik dhe të rrezikshëm për këdo që kalon në të.
Banoret thonë se i gjithë fshati mund të izolohet nëse nuk ndërhyhet në kohë.
“Jemi izolur dhe kemi mbetur këtu, si burri dhe unë”
“Tani nuk bëhet, duhet të ishte bërë në behar”
Rruga e re ka të paktën dy vite që u është premtuar banorëve të Palokastrës. Investimet e bëra nuk kanë qenë cilësore dhe situata është rënduar me kohën.
Për të shmangur erozionin, Bashkia Gjirokastër devijoi rrjedhën e lumit disa ditë më parë, por për shkak të prurjeve të shumta devijimi dështoi.