Ditën e sotme, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Dhunës Ndaj Grave”, gazetarja Rudina Xhunga ishte e pranishme në një takim të organizuar nga Prokuroria e Tiranës.
Ajo ka treguar një rast personal që i ka ndodhur në vitet 2003-2004, pasi ishte kërcënuar vazhdimisht nga një person.
Xhunga u shpreh se ai i dërgonte mesazhe të pështira dhe çështja kishte arritur deri në atë pikë, saqë s’kishte duruar më dhe e kishte denoncuar.
“Kam një eksperiencë personale me prokurorinë e Tiranës në 2003-2004. Më kërcënonte një njeri i çmendur, më çonte mesazhe pa fund. Mesazhe të pështira. E durova, pasi mendova se “je person publik dhe duhet të paguash një ‘çmim’”. E lejova të vazhdonte të shkruante, deri sa e padita. U frikësova pasi më kërcënoi. Por më erdhi përgjigjia se ai nuk kishte shkaktuar asnjë vepër penale, pasi më donte. Epo kjo është dhunë ndaj gruas, ndaj njeriut! Një i çmendur më donte! Një i ri që nuk donte veten e vet, më donte mua. Dhe unë duhet ta lejoja?! Ligjet ndryshuan. Tani nuk është kaq e lehtë të duash në këtë mënyrë. Kjo është përndjekje! Tani e sqaruan se kjo është përndjekje dhe jo dashuri. Atëherë mungonte ligji. Kështu bëhen ligjet pak nga pak. Duhet të ngrihet zëri duke mos pasur turp që të dëgjojnë.”- rrëfeu gazetarja.