Thesari i Shteteve të Bashkuara vendosi sanksione kundër ministrit të Komunikimeve të Iranit, Mohammad Javad Azari Jahromi, pasi regjimi në Teheran i bllokoi komunikimet në Internet gjatë protestave në këtë vend.
“Po e sanksionojmë ministrin e Komunikimeve për kufizimin e qasjes në Internet, përfshirë edhe aplikacionet e mesazheve, që kanë ndihmuar dhjetëra-miliona iranianë të mbeten në lidhje me njëri-tjetrin”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
Protestat në Iran shpërthyen më 15 nëntor, pasi çmimi i naftës u rrit rreth 200 për qind. Zyrtarët i konfirmuan pesë të vdekur në protesta, por organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se mbi 100 protestues besohet se janë vrarë, pasi autoritetet kanë përdorur municion të gjallë kundër tyre.
Thesari amerikan tha se Azari Jahromi është ish-zyrtar i Ministrisë së Inteligjencës në Iran, i cili e ka rritur censurën në Internet prejse është bërë ministër, dy vjet më parë, shkruan rel.
Shërbimet e Internetit në Iran kanë qenë kryesisht të bllokuara edhe të premten, për të gjashtën ditë me radhë. Sanksionet do t’i ngrijnë të gjitha asetet financiare dhe pronat që Azari Jahromi ka në SHBA.