Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se numri i personave që kanë marrë lëndime nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 900.
“Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar/ të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor. Shkon në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit. Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje më të rënduar”, sqaron ministria.
Ministria thotë se janë gjithashtu rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.
“Mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë”, thuhet në njoftim.
Ministria thotë se janë në gatishmëri të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti.