Ministria e Bujqësisë do të ketë një shtesë fondi prej 1.7 miliardë lekësh vitin e ardhshëm, krahasuar me aktin normativ të 2019,-ën.
Por si do të ndahen financimet dhe cilët zëra në këtë sektor do të kenë më shumë mbështetje? Referuar tabelave të projektbuxhetit 2020, pjesën më të madhe të fondeve e apo rreth 3.9 miliardë lekë, e merr zhvillimi rural me mbështetjen e prodhimeve bujqësore, blegtorale apo agroindustriale.
Zë ky që ka pësuar një rritje prej 1 miliardë lekësh në krahasim edhe me këtë vit. Po ashtu, një pjesë e mirë e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë, afro 3.1 miliardë lekë, do të shkojnë për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, pasi zonat bujqësore ende kanë problem me përmbytjet por edhe me mungesën e ujit në parcela.
Megjithëse ky zë, ka pësuar reduktim fondesh krahasimisht me 2019-ën. Afro 2 miliardë lekë do të shkojnë për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, një nga pikat më të dobëta të kësaj Ministrie, për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në produktet që konsumojmë, pavarësisht kontrolleve të shtuara.
Po ashtu, dyfishim fondesh krahasuar me këtë vit, apo rreth 1 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e sektorit të peshkimit.
Pjesa tjetër e zërave në këtë Ministri do të kenë mbështetje më minimaliste.