MENU
klinika

Skema e re e tatimit mbi pagën

Taksa e të dypunësuarve/ Pas 1 janarit priten ndryshime

16.11.2019 - 20:23

Një ndryshim procedurial në ligjin për tatimin mbi të ardhurat do të rrisë taksat për mijëra qytetarë të dy punësuar, që i kanë të ardhurat nga pagat më pak se 2 milionë lekë në vit.

Në paketën e re fiskale qeveria i ka propozuar parlamentit që duke filluar nga një janari i vitit të ardhshëm, të ardhurat e qytetarëve që kryejnë dy apo më shumë punë të mos taksohen më veçmas, por si një shumë e vetme.

Qeveria i takson të ardhurat nga puna sipas një regjimi progresiv me tre shkallë. Për 30 mijë lekëshin e parë të pagës taksa është zero. Për fashën nga 30 deri në 150 mijë lekë në muaj taksa është 13 për qind, ndërsa për pjesën e pagës mbi 150 mijë lekë në muaj norma e taksimit shkon 23 për qind.

Por për për individët e dy punësuar, që i kanë të ardhurat nga pagat më pak se 166 mijë lekë në muaj ose 2 milionë lekë në vit, pagat taksohen veçmas.

Pra një qytetar që merr dy paga në muaj nga 30 mijë lekë secila, aktualisht paguan zero taksë në shtet, pasi 30 mijë lekëshi është i përjashtuar nga taksa. Por me ndryshimin e ri të propozuar nga qeveria, këtë të punësuar do të kenë detyrimin të plotësojnë deklaratën personale të të ardhurave.

Rrjedhimisht të ardhurat nga dy pagat nuk do të taksohen më veçmas, por mblidhen dhe konsiderohen si 60 mijë lekë në muaj. Dhe për shkak të këtij ndryshimi, ky i punësuar që aktualisht paguan zero tatim mbi të ardhurat, duke filluar nga 1 janari do të paguajë 3900 lekë në muaj taksë mbi pagën.

Ky ndryshim do të rrisë taksat për të gjithë qytetarët që kryejnë dy apo më shumë punë dhe që i kanë të ardhurat totale nga pagat më pak se 166 mijë lekë në muaj.

Sipas draftit të qeverisë, në mars të çdo viti, të gjithë këta të dypunësuar do të plotësojnë deklaratën personale të të ardhurave të vitit paraardhës, ku do të bëhet edhe llogaritja e taksës që duhet të paguajnë në shtet.