Gjermania dhe Franca duhet të zhdukin dallimet e tyre dhe të ndjekin një partneritet konstruktiv me ide konkrete, tha një aleat i kancelares gjermane Angela Merkel pas një përplasjeje publike midis dy peshave të rënda të Bashkimit Evropian për NATO-n.
Marrëdhëniet midis fqinjëve, tradicionalisht boshti i bllokut prej 28 anëtarësh, janë bërë veçanërisht të ndërlikuara që kur erdhi në pushtet Presidenti Francez Emmanuel Macron.
Shumë analistë thonë se marrëdhëniet e tilla midis Berlinit dhe Parisit po e dëmtojnë BE-në në një kohë kur ajo duhet të tregojë një front të bashkuar kundrejt fuqive të tjera botërore, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Macron tha para disa ditësh se aleanca e NATO-s po përjetonte vdekje të trurit, duke hedhur dyshime mbi garancinë e saj kolektive, me anë të së cilës një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve në NATO.
Merkel e “sulmoi” Macron duke thënë se ai kishte përdorur “fjalë drastike” dhe kishte reaguar shumë keq. Ajo e shihte NATO-n ndryshe.
Norbert Roettgen, një anëtar i demokratëve konservatorë të krishterë të Merkel (CDU) dhe kreu i komitetit parlamentar për çështje të jashtme, i tha të përditshmes Bild të Gjermanisë se ai e kuptonte kancelaren.
“Por e gjithë kjo nuk na ndihmon, ne duhet t’i çojmë marrëdhëniet me Francën në një rrugë konstruktive,” u shpreh ai për Bild.
“Për ta bërë këtë, ne jo gjithmonë duhet të presim propozimet e Macron”, tha ai, duke dhënë ide të tilla si një rrjet i përbashkët 5G për të dy vendet.
“Ne mund të shndërrohemi nga ‘riparuesi’ në një drejtues të ideve gjermano-franceze,” tha ai.
E përditshmja Bild citoi gjithashtu një artikull të New York Times ku thuhej se Merkel ishte shprehur kështu në 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.
“Unë e kuptoj dëshirën tuaj për politikë shkatërruese. Por jam lodhur. Gjithnjë e më shumë, unë duhet të ngjis së bashku ato që keni copëtuar ju, në mënyrë që ne pastaj të ulemi dhe të pimë çaj së bashku”.