Prokuroria e Durrësit do të nisë të hënen hetimet për dëmtimet e pallateve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Burime bëjnë me dije se do të hetohet çdo rast ndërtimi i banesave dhe pallateve që nga lejet e ndërtimit, zbatimi në terren i punimeve dhe kolaudimet e kryera nga inxhinierët e bashkisë dhe ata private të liçensuara.
Nga hetimet synohet që të verifikohet cilësisa pinimeve duke filluar nga trashësia e kolonave dhe mureve e mbi të gjitha zbatimi i planeve fillestare të ndërtimit.
Në Shqipëri ka pasur shumë probleme përsa i përket shtesave në banesa e në pallate të cilat kanë mbetur edhe peng i legalizimeve.
Ekspertë të njohur në vend kanë ngritur shqetësimin se ndërtimet në vend janë ngritur në zona të rrezikuara si në këneta dhe breg të detit ku lëkundjet e tërmeteve reflektohen më shumë.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë kreu i qeverisë paralajmëroi forcim të penaliteteve për të gjithë inxhinierët apo projektuesit që nuk zbatojnë ligjin në ndërtim.
Sizmiologët dhe inxhinierët theksojnë se Kodi Antisizmik dhe hartat e shpërndarjes sizmike në fuqi janë miratuar që në periudhën komuniste dhe nuk ka asnjë reflektim të ndryshimeve të fundit. Ndërkohë që për për ndërtimet mbi 8 kate, kërkohet që më parë të realizohen studime sizmologjike.
Tirana dhe Durrësi, janë dy qarqe me aktivitet sizmik që mund të arrijë një magnitudë deri në 6.9 të shkallës Rihter.