MENU
klinika

"Është një armë parandalimi"

Thirrja e kreut të GRECO: Deklaroni pasuritë

17.11.2019 - 12:35

Lufta ndaj korrupsionit do të nisë atëhere kur të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të politikës të bëjnë transparente pasuritë e tyre.

Ky është mendimi i Giancarlo Esposito, shefit të GRECO, organizmit të Këshillit të Evropës kundër korrupsionit, gjatë një intervistë për Top Channel.

“Aspekti parandalues është ai që përmes një sistemi të cilin GRECO e quan (për Shqipërinë dhe vende të tjera) Deklarim i Aseteve, dhe është i rëndësishëm për ata që mbajnë poste publike, qofshin anëtarë të parlamentit, prokurorë apo gjykatës, apo edhe anëtarë qeverie, kryeministra, ministra e te tjera për t`u siguruar që asetet të bëhen publike.

Kjo nuk bëhet thjesht për kuriozitet, për të mësuar sa makina apo shtëpi ka njëri ose tjetri. Është një mjet, një armë shumë e fuqishme parandalimi që ndihmon të menaxhohet konfliki i interesit, dhe siguron që transparenca ti përputhet me përgjegjësinë. Këtu s’ka asgjë të gabuar, asgjë të paligjshme. Atëherë kur ka të dhëna se pasuritë janë vënë përmes aktivitetit kriminal, atëherë hyjmë në fazën e veprimit”- thotë Esposito.

Por cila është arma më efikase kundër korrupsionit?

“Gjëja e parë që do të thoja është se nuk ka një luftë efikase kundër korrupsionit pa një gjyqësor të pavarur. Arsyeja përse GRECO, organizim kundër korrupsionit i Këshillit të Evropës i ka kushtuar një raund vlerësimi temës së parandalimit të korrupsionit, sepse në fund, nëse nuk i zë dot besë gjykatësit, kujt mund t’i besosh? Ndaj reformimi i gjyqësorit është i një rëndësie kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe unë e mirëpres iniciativën që qeveria ka ndërmarrë për të shpejtuar reformën e gjyqësorit.

E di se ka një nivel shumë të lartë angazhimi politik për zbatimin e kësaj reforme dhe ne po presim nisjen e disa pjesëve të ndryshme të reformës. Për çdo rast, një reformë është e mirë përsa kohë që implementohet me efikasitet. Me fjalë të tjera, është e rëndësishme të sigurohemi që të gjithë institucionit dhe organizmat që janë krijuar ta kryejnë me efikasitet punën e tyre.

Ata prodhojnë rezultatet, ata bëjnë drejtësinë, në praktikë do të thotë të sigurohesh që hetimet të kryhen siç duhet, që asetet të kapen e eventualisht të sekuestrohen, dhe kush gjendet fajtor, të nxirret para drejtësisë. Atëherë matet reforma në drejtësi, nëse është e suksesshme apo jo; matja nuk është ngritja e një organizmi apo krijimi i një institucioni të ri; matësi i reformës në drejtësi është rezultati faktik që apo prodhon”– deklaron shefi i GRECO.

Përsa i përket ngritjes së SPAK, Esposito thekson se GRECO po pret funksionimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.