MENU
klinika

Potencialet dhe zhvillimi ekonomik

Transporti liqenor/ Shqipëri-Itali-Mali i Zi me lidhje të reja

21.11.2019 - 13:46

Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit trilateral (IPA CBC) Itali-Shqipëri-Mali Zi, organizoi sot eventin prezantues për projektin me akronimin “ALMONIT”.

Synimi i këtij projekti është vendosja e një bashkëpunimi afatgjatë midis palëve të interesuara, nëpërmjet lidhjeve liqenore dhe detare.

“ALMONIT” është projekti që do të afrojë brigjet shqiptare me ato malazeze e italiane. Në kuadër të këtij projekti, rreth 3 milionë euro janë parashikuar për ndërhyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Aurora Alimadhi, drejtoreshë e Departamentit të Zhvillimit Rajonal në Fondin Shqiptar të Zhvillimit gjatë këtij aktiviteti u shpreh se, “ky projekt është një pikënisje të bashkëpunimit mes vendeve dhe institucioneve tona me qëllim zhvillimin ekonomik të zonave të projektit mbështetur mbi potencialet tona dhe veçanërisht potencialet për zhvillimin e turizmit. Potencialet natyrore të vendeve tona si Deti Adriatik, lumi Buna apo liqeni i Shkodrës i konsiderojmë ura natyrore që lidhin jo vetëm komunitetet, por dhe turistët vendas dhe ndërkombëtar”.

Alimadhi tha se, “investimet e parashikuar për këtë projekt plotësojnë ndërhyrjet e parashikuara që po zbatohen apo që janë planifikuar të zbatohen për zhvillimin e këtyre zonave në kuadër të një vizioni më të gjerë zhvillimi rajonal e të qëndrueshëm që synon krijimin e kushteve për diversifikimin e mënyrave të transportit mes vendeve tona. Në fokus është është aksesi më i mirë i potencialeve turistike natyrore dhe gjallërimin e aktivitetit ekonomik në komunitete që jetojnë në këto zona”.

“Projekti “ALMONIT’’ përfaqëson një nga projektet strategjike të përzgjedhura në kuadër të programit bilateral Itali-Shqipëri-Mali I Zi. Nga ana jonë ky konsiderohet si projekti më me peshë si nga pikëpamja e natyrës së ndërhyrjeve ashtu dhe nga pikëpamja financiare. Kjo pasi është një projekt me një vlerë të konsiderueshme monetare nga të cilat rreth 3 milionë euro janë parashikuar për ndërhyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Alimadhi.

Për Shqipërinë kjo është ndërhyrja e parë në transportin liqenor, pasi vendi ka vetëm eksperiencën e liqenit Fierza-Koman.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është partneri kryesor në këtë projekt dhe partnerët pjesëmarrës janë Rajoni i Pulias në Itali, ministria e Transportit dhe Çështjeve Detare në Malin e Zi, Rajoni i Molise në Itali, bashkia e Barit në Mal të Zi, si dhe bashkia Shkodër.

Projekti është i ndarë në të dy anët e detit Adriatiko-Jonian midis Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe në të dy anët e Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Aktualisht kjo zonë ka pak mundësi për t’u vizituar pasi karakterizohet nga sisteme transporti me ndërveprim të ulët. Kjo gjë ndikon negativisht në lidhjet e brendshme dhe ato rajonale.

Përmes këtij projekti synohet krijimi i një transporti liqenor, i cili do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi në Liqenin e Shkodrës, ose Portin e Virpazar me molin përkatës në Shkodër.

Ky projekt parashikohet të zhvillohet në një afat kohor prej 37 muajsh.