MENU
klinika

Detajet e projektit

Ujësjellësi në Rrogozhinë, gati vitin e ardhshëm

10.11.2019 - 13:54

Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Bashkinë e Rrogozhinës kanë avancuar dhe pritet që vepra të jetë plotësisht në funksion vitin e ardhshëm, duke siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 12 mijë banorë.

Siç njofton zyra e shtypit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Alqi Bllako, ndoqën nga afër punimet që po bëhen për ndërtimin e ujësjellësit të Rrogozhinës, ku u njohën me ecurinë e tyre.

Drejtori Bllako e informoi ministren me detajet e projektit që po realizohet, ndërsa theksoi se prej 25 vitesh në ujësjellësin e Rrogozhinës kanë munguar investimet dhe afro 25% e zonës urbane të kësaj bashkie ka pasur mungesë edhe të rrjetit shpërndarës.

“Investimi konsiston në ndërtimin e tri depove të reja. Është depo kryesore, depo 2 mijë metër kub dhe dy depo të tjera, 200 dhe 100 metra kub. Janë rreth 9 kilometra linjë kryesore transmetimi, nga puset e Çermës deri në qytet të Rrogozhinës, si dhe 16 kilometra rrjet i brendshëm duke përfshirë këtu dhe 9 kilometra lidhje terciare me familjarët. Të gjithë familjarët do të jenë të pajisur me matësa, në mënyrë që ne të mund të masim në kohë reale dhe konsumin familjar, gjë që ka munguar, pasi dhe ata matësa që kanë qenë të instaluar nga ndërmarrja e Rrogozhinës, pjesa më e madhe e tyre kanë qenë jo funksionalë”, tha Bllako.

Ministrja Belinda Balluku theksoi se informaliteti ka qenë një ndër shqetësimet kryesore në Bashkinë e Rrogozhinës, për shkak edhe të mungesës së rrjetit shpërndarës të ujësjellësit, në një pjesë të kësaj bashkie, ku është ndërtuar gjatë viteve të tranzicionit.

kolana e librave

“Ky është një investim, me të cilin ne do t’u ofrojmë shërbim më të mirë rreth 12 mijë banorëve. Çfarë ka qenë më shqetësuese në zonën e Rrogozhinës është informaliteti i zonës. Një pjesë e madhe e ndërtesave, që janë shtuar gjatë fazës së tranzicionit, nuk kanë as rrjetin e furnizimit me ujë dhe është diçka që ne do t’a ngremë sot nga e para”, u shpreh Balluku.

Duke ju referuar Javës Kombëtare të Ujit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vuri theksin tek rëndësia e sensibilizimit të qytetarëve duke kërkuar një angazhim nga të gjithë institucionet, lokale dhe qendrore.

“Kjo është java e ujit, ndaj dhe ne i kemi dhënë një vëmendje më të madhe të gjitha investimeve të ujit, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke kryer në terren, por edhe sensibilizimit që të gjithë banorët duhet të kenë. Është shumë e rëndësishme të kemi ujë 24 orë, por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që për këtë ujë të kujdesemi”, u shpreh Balluku.

Projekti për ujësjellësin e Rrogozhinës është i ndarë në tri faza, ndërsa përfshin rinovimin tërësisht të rrjetit të transmetimit si dhe rrjetin e brendshëm.