MENU
klinika

Tribunat me emra futbollistësh

Zyrtare: Stadiumi i ri merr emrin “Air Albania”

15.11.2019 - 20:27

Qendra Sportive Kuq e Zi Sh.a njofton opinionin publik për përfundimin e procesit të përzgjedhjes së partnerit për të drejtat e emrit të stadiumit.

Në këtë proces pati 2 oferta financiare konkrete dhe 4 shprehje interesi. Ofertuesit ishin kompania ajrore “Air Albania” dhe kompania e njohur e karburanteve “Bolv Oil”.

Këshilli i Administrimit i Qendra Sportive Kuq e Zi sha, në vlerësim të ofertave, vendosi të përzgjedh shoqërinë Air Albania Shpk, përzgjedhje e cila u aprovua nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve (75% Federata Shqiptare e Futbollit dhe 25% Ministria e Financave dhe Ekonomisë).

Përfitojmë nga rasti të falenderojmë gjithashtu edhe kompanitë Bolv Oil, Sigal Uniqa Group Austria dhe Vodafone Albania për shprehjen e interesit për të qenë edhe ata sponsorë të stadiumit të ri.

Dje u nënshkrua kontrata e sponsorizimit mes palëve Qendra Sportive Kuq e zi dhe Air Albania, sipas së cilës, kompania ajrore Air Albania do të ketë të drejtën e vënies së emrit ‘Air Albania Stadium’. Pra, që nga sot e deri në përfundim të kontratës 5 vjecare stadiumi do të quhet “Air Albania Stadium”.

Shoqëria Air Albania shpk është krijuar në vitin 2018, me aksioner kryesor Turkish Airlines (49%), duke qenë në këtë mënyrë përfaqësuesi zyrtar i gjigantit botëror të fluturimeve në tregun shqiptar. Shteti shqiptar gjithashtu zotëron 10% të aksioneve të shoqërisë, me anë të Albcontrol Sha.

Ndërkaq Këshilli i Administrimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Qendra Sportive Kuq e zi ka vendosur që Tribunat e stadiumit të marrin emrat e personaliteve të historisë dhe të futbollit Shqiptar, si vijon:

– Tribuna qendrore do të emërtohet “Tribuna Qemal Stafa”.

– Tribuna Lindore (Ballore) do të emërtohet “Tribuna Panajot Pano”.

– Tribuna Veriore do të emërtohet “Tribuna Fatmir Frashëri”.

– Tribuna Jugore do të emërtohet “Tribuna Vasillaq Zëri”.

Në këtë mënyrë jo vetëm respektohen këto personalitete të shquar, por edhe mbahet gjallë përgjithmonë kujtesa historike e stadiumit të vjetër.