Policia ka zhvilluar një aksion në Gjirokastër, ku ka sekuestruar 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë në një magazinë.
Uniformat blu paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë, ndërsa iu bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Vijon kontrolli i dyqaneve, marketeve dhe tregjeve, për sekuestrimin e lëndëve piroteknike.
Sekuestrohen në Gjirokastër 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë.
Në zbatim të urdhrit të tre ministrave, nr. 661, datë 13.12.2018, “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike”, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollin e pandërprerë në subjekte të ndryshme dhe tregje me shumicë e pakicë, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e lëndëve piroteknike.
Si rezultat i kontrolleve, në Gjirokastër, në një magazinë, janë gjetur të magazinuara 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës vijojnë veprime e mëtejshme.
Kontrollet do vijojnë edhe në ditët në vazhdim dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë.