Drejtori i Policisë së Durrësit Lorenc Shehu, i shoqëruar nga kryeprokurorja e rrethit Anita Jella dhe Drejtori i Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi ka dalë sot para mediave për të dhënë informacion zyrtar për aksionin e nisur në Durrës për ndalimin e personave përgjegjës për sigurinë e godinave ku humbën jetën shumë njerëz.
Shehu tha se Policia pas tërmetit kaloi në gatishmëri dhe 4012 forca policie ishin në terren dhe janë marre dokumentet tek objektet e dëmtuara nga tërmeti.
17 urdhra ndalimi, jane ekzekutuar 9 dhe 8 persona të tjerë janë në kërkim.
Sipas drejtorit të policisë, u morën masa të menjëhershme për ruajtjen e rendit e sigurisë, ruatjen e objekteve të dëmtuara apo të braktisura nga banorët si pasojë e panikut, si dhe u morën në ruajtje objektet që u cilësuan të pabanueshme, me qëllim moslejimin e futjes së banorëve për shkaqe sigurie.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, me secialistë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në përbërje të tyre edhe specialistë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Finaciare në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë, nën drejtimin e njësive të posaçme të ngritura nga prokuroritë përkatëse, me objekt “Kryerjen e veprimeve, dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara dhe të dëmtuara nga tërmeti”, me qëllim vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Në këtë kuadër, grupet e punës kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale në të gjitha objektet duke filluar me:
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve të firmave që kanë ndërtuar objektet, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti.
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve nga bashkia respektive, lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit, projektin, supervizimin, zbatimin, si dhe lejen e shfrytëzimit.
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve në hipotekën respektive.
Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve në institucionet e tjera.
Si dhe në kryerjen e detyrave të tjera që do diktojë situatë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në zbatim të këtyre detyrave, grupet hetimore kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, duke grumbulluar çdo provë që do i shërbejë hetimit.
Pas një pune intensive dyjavore, në përfundim të fazës së parë të punës, në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i punës, Prokuroria e Rrethtit Gjyqësor Durrës, gjatë mbrëmjes së djeshme, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave të tjerë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.
Për këto arsye, mbështetur në provat e administruara në këtë procedim penal është bërë ndalimi i këtyre shtetasve:
1- Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
2- Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
3- Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
4- Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
5- Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
6- Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
7- Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.
9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Grupi i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive për personat përgjegjës, për çdo rast që është evidentuar si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor.
Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias në transmetimin dhe nxjerrjen para kohe dhe të pakonfirmuara të lajmeve për urdhër-arreste apo arrestime, pasi këto lajme dëmtojnë hetimin dhe për rrjedhojë përbëjnë vepër penale.
Në kuadër të transperencës me median dhe publikun, Policia e Shtetit jep informacion zyrtar të konfirmuar edhe nga prokuroritë respektive kur lajmi ka të bëjë me vijimësinë apo cënimin e hetimeve.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e vendosur dhe e përkushtuar për të garantuar rendin e sigurinë, për të luftuar krimin e organizuar, atë ekonomik e financiar duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës.
Falënderojmë qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ftojmë sërish që të denoncojnë në 112 e Komsiariatin Dixhital çdo paligjshmëri duke u garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të pananshëm.