MENU
klinika

AAC i bën apel qytetarëve

Aviacioni Civil Italian pezullon “Fly Ernest”

29.12.2019 - 15:11

Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC), njoftoi sot se ka nxjerrë aktin e pezullimit të licencës së kompanisë ajrore “Ernest”.

Në deklaratën për shtyp, Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), bën të ditur se “pezullimi do të hyj në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim e vetëm që t’i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anulimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi”.

Sipas vendimit të ENAC, edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, “Ernest” nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.

Gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Europian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.

Nga ana e tij, Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.

AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si u nda tregu i fluturimeve në prill?

Vonesat e avionëve, rriten kompensimet