Në balancin 9-mujor të Bankës së Shqipërisë rezulton se kjo e fundit ka blerë në total 99.3 milionë euro në tregun e brendshëm valutor gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.
Sipas njoftimit të Bankës Qëndore, në tremujorin e tretë, Banka bleu 42.10 milionë euro. Ndërsa në dy, tre mujorët e mëparshëm përkatësisht u blenë 39.20 milionë euro dhe 18 milionë euro, duke çuar totalin e blerjeve për vitin 2019 në 99.30 milionë euro.
Në të gjithë rastet, Banka e Shqipërisë ka përdorur opsionin e blerjeve në raundin e dytë, sikurse parashikohet në rregullore.
Blerjet e Bankës së Shqipërisë këtë vit kanë qenë të parashikuara brenda kalendarit të saj të publikuar në fillim të vitit dhe kanë kryer në funksion të rritjes së rezervës së saj valutore, në bazë të të cilës ajo blen rreth 25-30 milionë euro në çdo tremujor.
Një nga arsyet për ndërhyrjet në tregun e valutor është edhe ruajtja e balancës në tregun e këmbimit valutor, ku sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2019 euro u këmbye mesatarisht me 123 lekë, ose rreth 4.6 lekë më pak në raport me mesataren e një viti më parë.