MENU
klinika

Ish-Armata Jugosllave

Dhuna, vrasjet, burgosjet e dënimet kundër ish-eprorëve shqiptarë

24.12.2019 - 07:45

Skënder Ibishi: Dhuna sistematike, vrasjet, burgosjet e dënimet kundër ushtarëve dhe ish-eprorëve shqiptarë në ish- Armatën e Jugosllavisë. Ky shkrim ribotohet pas vdekjes së veprimtarit të njohur më 6. 7. 2017.

Është dëshmuar sa e sa herë deri tani se Armata jugosllave, e ashtuquajtura “Armatë Popullore e Jugosllavisë”, në fakt nuk ishte asnjëherë popullore. Ajo armatë, që nga themelimi i saj e deri në ditët e shpartallimit, të paktën si një armatë e rregullt, ishte e dominuar dhe shumë e dominuar nga elementi serb, që udhëhiqej nga qarqet shoviniste serbomëdha, madje që nga koha e të ashtuquajturës Luftë Nacional Çlirimtare.

Gjatë asaj lufte radhët e këtushme kishin shtabin e tyre suprem të LNÇ-së për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, ku komandant ishte një shqiptar, por më vonë, me ndryshimin e raportit të forcave si në fushëbetejë, ashtu edhe në kabinetet politike, pikërisht kur edhe duhej shkelur dhe mohuar vendimet e marra në Konferencën e Bujanit, janar 1944, e në radhë të parë të drejtat e popullit shqiptar që të vetëvendoste për fatin e vet, qarqet ushtarake-politike nisën spastrimin e kuadrove komanduese në radhët dhe brigadat e UNÇ-së të Kosovës.

Zëvendësimin i tyre u bë me serbë dhe malazezë. Dhe, çfarë ndodhi pas kësaj, dihet fare mirë në opinion tonë: u vendos administrimi ushtarak në Kosovë, ndërmerren krime të papara mbi popullin e pambrojtur shqiptar, ndërkohë që bëhen masakra në Drenicë, Gjilan, Tivar, Shkup dhe në shumë vende të tjera shqiptare.
Kjo politikë e qarqeve ushtarake dominoi edhe gjatë periudhës së pas luftës, sidomos pas vitit 1981, pas demonstratave të vazhdueshme të popullit shqiptar kundër padrejtësive që i janë bërë nga pushtuesit sllavë.

Situata aktuale politike në Kosovë, në fillim të muajit prill të vitit 1981 e detyroi kreun më të lartë ushtarak jugosllav, të ngritë shkallën më të lartë të mobilizimit në Armatën Jugosllave, duke përforcuar me trupa të mëdha korpusin e Prishtinës dhe duke i sforcuar të gjithë mekanizmat ushtarakë dhe policorë, shërbimet sekrete, shërbimin e propagandës speciale dhe asaj publike, organet politike, organet gjyqësore, perfeksionimin e metodës së zbulimit etj.

Të gjitha këto masa i ndërmori APJ duke pasur parasysh ngritjen e vazhdueshme të ndërgjegjes kombëtare e klasore, intensifikimin e luftës së tij për të drejta e liri.
Mobilizimi dhe bashkimi i paparë i popullit tonë si dhe numri i madh i shqiptarëve në AJ (çdo i treti ushtarak ishte shqiptar) paragjykohej me të drejtë si rrezik potencial në destabilizimin e Armatës Jugosllave, si dhe në destabilizimin e Jugosllavisë në përgjithësi. Mobilizimi i shpejtë i njësive dhe nisja e tyre për në Kosovë në prill të vitit 1981 i tronditi shumë ushtarët dhe eprorët shqiptarë, pasi që nuk kishin informata rreth misionit të tyre në Kosovë.

Mendonin se në Kosovë është luftë, se atje duhej luftuar kundër popullit shqiptar, prandaj dezertuan shumë ushtarë, refuzuan urdhrat e eprorëve të tyre, u shkruanin letra lamtumirëse familjeve, etj.

Këtë më së miri e shpjegon më vonë gjenerali Mladen Bratiq, sekretar për informin në LK të AJ-së, i cili pati deklaruar: ”Funksionarët e lartë dhe oficerët nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në Kosovë,sepse nuk janë «të marrë» të shkojnë e të vdesin në Libanin jugosllav. Atje i dërgonin vetëm naivët dhe kadetët pa përvojë, sepse të vjetrit nuk pranonin të komandonin në territorin e Kosovës”.

Shumë garnizone së Armatës të Parë mbetën me një përqindje të vogël të ushtarëve dhe eprorëve. Asokohe në Kosovë ishte dislokuar një korparmatë të Ushtrisë Jugosllave me rreth 40.000 pjesëtarë.

Korparmata ka qenë e përbërë me mbi 80 për qind të eprorëve dhe ushtarëve të nacionalitetit serb, gjersa komanda e saj qind për qind me pjesëtarë të serb. Veprimet e tyre si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj ishin të orientuar kundër shqiptarëve.

Ata filluan me provokime të pareshtura në orët politike dhe jashtë saj e shpeshherë edhe fyerje të rënda kundër popullit shqiptar në përgjithësi. Nga eprorët ushtarakë shqiptarë kërkonin që para ushtarëve ta kenë si temë qendrore, situatën në Kosovë dhe t’iu shpjegojnë arsyet pse Kosova nuk mund të bëhej republikë.
Në një takim të udhëhequr nga gjenerali Bunqiq, organizuar nga Armata e Parë ishin prezentë të gjithë eprorët të lindur në Kosovë.

Në këtë takim nuk u bë fjalë për çka ishim të ftuar, por takimi u bë me qëllim për t’i provokuar eprorët shqiptarë, me pyetje të ndryshme, si për shembull, pse Kosova nuk mund të bëhet republikë, nëse do të merrnin detyra në Kosovë, si do të kishim reaguar ndaj «nacionalizmit» dhe «irredentizmit» shqiptar, pse nuk i denonconin sjelljet e dyshimta të ushtarëve shqiptarë, etj. Me insistimin e organit të sigurimit në foltore, eprori Ramadan Behluli u përgjigj në pyetjen e parashtruar “Pse Kosova nuk mundet të bëhet Republikë”?

Eprori shqiptar, në kushtet dhe rrethanat e atëhershme u përgjigj shkurt:”Kosova nuk mundet të bëhet Republikë pasi që ekziston një shtet shqiptar”. Kjo përgjigje e revoltoi pa masë gjeneralin Bunçiq. Kjo përgjigje i kushtoi Ramadanit me qëndrim më tepër se një orë në foltore, deri sa i përsëriti të gjitha “arsyet” gjeneralit Bunçiq.

Gjatë të kësaj kohe maltretimet, fyerjet ,dhe poshtërimi ishte prezent para shumë pjesëmarrësve në këtë tubim, i cili u inskenua enkas për provokime në një anë, e në tjetrën u bë edhe prezantimi i ynë para shërbimit të KOS-it, të cilët ishin të pranishëm aty.
Ky «tubim» zgjati më tepër se gjashtë orë.

Presioni psikik mbi eprorët, kadetët dhe ushtarët shqiptarë, u pasua më vonë edhe me masa represive në “zbulimin” e të dyshimtëve dhe largim e tyre nga APJ-ja.

Kjo fushatë represive filloi qysh nga gushti i vitit 1981, fillimisht me eprorin më të lartë, Sadik Sutaj, i cili u dënua me 4 vjet e gjysmë burg, për shkak se kolegëve të tij u tregoi për situatën aktuale politike dhe ushtarake në Kosovë, si dhe angazhimin e njësive të blinduara kundër demonstruesve shqiptarë.

Në maj të vitit 1982 u dënua edhe eprori ushtarak, Skënder Ibishi, si anëtar i organizatës ilegale “PKMLSHJ” ai fillimisht u dënua 12 vjet burg të rëndë, më vonë u zbuluan disa grupe të eprorëve dhe ushtarëve brenda AJ-së.

Disa grupe eprorësh të dënuar për vepra penale antijugosllave

Më 23 mars 1983 u arrestuan eprorët: Bajram Mehmeti, Gani Lipaj, Izet Zabelaj.

Në dhjetor të vitit 1985 u arrestuan eprorët ushtarakë: Naim Maloku, Xhafer Jashari, Fadil Hakiu, Fadil Demiri, Ramadan Gashi, Shefqet Tahiri, si dhe ushtarët,Rrahim Bytyqi, Zeqirijah Hyseni dhe Xhemil Osmani.

Më 19.8.1986 u arrestuan grupi tjetër i eprorëve: Agim Mehmeti, Xhafer Kabashi, Miftar Ziba, Shabi Dërmaku, Rrahim Ademi, Xhavit Sadiku, Xhemë Ademi, (i ndjerë) Musa Hoxha dhe civilët, Tahir Mehmeti, Enver Idrizi, ndërsa Ramiz Selmani epror i aviacionit u dënua në Sarajevë.
Tahir Turkaj u dënua së bashku me gjashtë ushtarë të tjerë në Gjyqin Ushtarak të Manastirit.

Pastaj ndodhi “Procesi i Zarës” i cili ishte drejtuar kundër tre shqiptarëve, të cilët akuzoheshin si anëtarë të organizatës ilegale «Fronti i Kuq Popullor», këta kishin për qëllim shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia.

Fadil Vata dhe Murat Bytyqi u akuzuan si anëtarë të organizatës ilegale «LPRK».
Malush Ademaj u dënua me 18 muaj burgim, sepse refuzoi të shërbejë në AJ. Kjo u ka ndodhur dhe shumë të tjerëve.

Përpos dënimit nga gjykatat ushtarake, ata janë dënuar edhe nga gjykatat civile me nga tri vjet burg me arsyetim se janë motivuar me ide nacionaliste.
Në Sarajevë, Ismail Rashiti u dënua me pesë vjet burg si anëtar i grupit ilegal “Flaka e flamosur”.

E njëjta gjykatë ngrit akuzën edhe për 4 shqiptarë dhe u dënuan me 28 vjet burgim, me akuza se kanë formuar një organizatë ilegale para se do të vinin në shërbimin ushtarak, ku thuhej se qëllimi i tyre ka qenë të merrnin armatim për të luftuar më vonë në Kosovë.

Fushata për zbulimin e anëtarëve të grupeve ilegale dhe individëve brenda AJ-së vazhdoi me një intensitet të madh, duke u rritur numri i të burgosurve prej dite në ditë. Në gjykatat ushtarake, eprorët, ushtarët dhe kadetët akuzoheshin si anëtarë të organizatave ilegale të «PKMLSHJ» «OMLK» «Fronti i Kuq Popullor» «LPK» etj.

Për organet e sigurimit ishte më rëndësi të zbulohej një pjesëtar i ndonjë organizate ilegale, në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e tyre shqiptarë në Kosovë, e pastaj shokët e tij në shërbimin ushtarak, pa kurrfarë argumentesh i akuzonin se janë në të njëjtin grup ose organizatë.

Në këto procese politike kundër veprimtarëve e patriotëve nga radhët oficerëve, kadetëve dhe ushtarëve shqiptarë përdoreshin metoda të dhunës e të torturave të ndryshme, si përdorimi i grafologëve, imituesve të zërit, “detektorë të rrenave”, elektro-shok, dëshmitarë të rrejshëm, detyrimet për të nënshkruar deklarata të montuara, kërcënime me likuidim, izolime, bisedat e ashtuquajtura informative, metodë kjo e cila u bë metoda e përditshme, me qëllim për të ushtruar presion në detyrimin e shqiptarëve për bashkëpunim për t’i zbuluar ata, të cilët ishin ata për të cilet dyshohej se ishin të orientuar kundër Jugosllavisë.

Me metoda të tilla ata keqtrajtuan shumë ushtarë dhe eprorë shqiptarë. Në këto procese u angazhua një numër i madh inspektorësh ushtarakë, civilë dhe policë ushtarakë.

Në vitet ’80 e pësuan shumë eprorë, kadetë dhe ushtarë shqiptarë, shumë prej tyre në procese të montuara nga organet e sigurimit ushtarak dhe civil, duke i akuzuar për vepra politike, sipas nenit 133, 124, 136, lidhur me nenin 114, dhe 116, të LPJ, akuzat kundër vrasjeve të ushtarëve të tjerë , helmime të ujit dhe ushqimit, diversione, sabotime, moskryerjen e urdhrave të eprorëve ushtarakë, për dezertime individuale apo kolektive nga shërbimi ushtarak etj.

Vrasja e ushtarëve shqiptarë nëpër kazermat jugosllave

Si pasojë e një politike shoviniste ushtarake, si dhe trajtimi i egër antishqiptar që ndërmerrej në shërbimin ushtarak kundër shqiptarëve është fakt i pakontestueshëm që flet se gjatë viteve 1981-1991 nga shërbimi ushtarak u kthyen në arkivole 73 ushtarë shqiptarë të martirizuar në kushte dhe rrethana të ndryshme. Prej tyre 35 kufoma të ushtarëve të vrarë ishin të mbuluara në arkivole speciale dhe familjeve të tyre nuk iu lejua t`i shohin.
Të gjitha këto raste janë trajtuar kryesisht, gjoja si vetëvrasje.

Asokohe por edhe tani shtrohet pyetja se, a është e mundur që ushtarët e tillë t’ ia marrin vetes jetën, kur është vërtetuar në mënyrë të saktë se janë të aftë psiqikisht dhe fizikisht për shërbimin ushtarak. Në anën tjetër statistika e ka vërtetuar se ndër shqiptarë fenomeni i vetëvrasjeve asokohe ishte tepër i rrallë, dhe krejt pak i shprehur në raport me popujt e tjerë.

A është e mundur kur kemi parasysh faktet se gjatë asaj periudhe me mija shqiptarë të rinj janë dënuar me burgim afatgjatë, madje deri 20 vjet, duke ushtruar forma dhe metoda më barbare, e nuk kemi asnjë rast të përpjekjeve për vetëvrasje. Këtë dyshim e kanë shprehur edhe familjarët e ushtarëve të viktimizuar mizorisht në APJ.

Nga të dhënat që posedojmë, del se numri më i madh i të viktimizuarëve ( më shumë se gjysma ) ka ndodhur në ish-Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, derisa në Serbi kanë ndodhur vetëm 8 raste, pastaj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Kjo tregon se Serbia ka qenë e kujdesshme që në territorin e vet të ketë sa më pak raste të tilla.

Fushata antishqiptare pas “Rastit të Paraqinit

Rasti i Paraqinit, i cili ndodhi më 3 shtator të vitit 1987, në orën 3:05 pa dyshim ishte një nga rastet më tipike, i cili zgjoi interesim të madh në opinionin vendor dhe atë të jashtëm.

I akuzuari Rizah Xhakli u arrestua më 19.9.1987 dhe u dënua me 20 vjet burg, Abdylxhemil Alimani u dënua me 20, Afrim Mehmeti u dënua me 13 vjet, Pajazit Aliu u dënua me 13 vjet burg, Shefqet Paqarizi u dënua me 7 vjet dhe, Enver Behlili u dënua me 5 vjet e gjysmë burg.
Gazeta e përditshme “Politika” më 4 shtator 1987, pas rastit në fjalë shkruan: “Kelmendi goditi Jugosllavinë.

Opinioni jugosllav është tmerruar, vrasësi Kelmendi, sipas të gjitha gjasave, nuk e ka tërhequr këmbëzën vetëm, ai shtiu në njërën nga shtyllat më të rëndësishme të bashkimit dhe të stabilitetit jugosllav, në APJ dhe këtë në pulsin më të ndjeshëm të qenies së saj, në rininë tonë, e cila barti gjithmonë me krenari uniformën e saj. Masakra në Paraqin tregon edhe njëherë në mënyrën tragjike, se kundërrevolucioni në Kosovë është problem jugosllav. Tragjedia në Paraqin është tragjedia e Jugosllavisë”.

Më 8 shtator të gjitha radiostacionet dhe shtypi i Jugosllavisë nuk lanë gjë pa vjellë kundër ushtarit Aziz Kelmendi, duke nënvizuar se Kelmendi është shqiptar, shqiptarët shtinë në Jugosllavi, shqiptarët, pra janë armiq dhe rrënues të Jugosllavisë! Ata duhet të ndalen ashtu sikur të gjithë nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë.
Kjo fushatë do të rezultonte edhe me efektet negative në Burgun e Pozharevcit dhe në burgjet e tjera.

Në fillim të burgosurit ordinarë ndërsehen kundër të burgosurve politikë, pastaj ndërseheshin gardianët e njohur për qëndrim antishqiptar, pa fije dyshimi me urdhrin e drejtorëve të burgjeve, siç ka ndodhur në Burgun e Pozharevcit. Kështu do të bjerë edhe viktima e parë, i burgosuri Ibrahim Kastrati, “faji” i vetëm i të cilit ishte se kishte qenë bashkëfshatar i Aziz Kelmendit.

Ismet Krasniqi është dënuar në Bosnjë me një vit burgim për arsye se në një bisedë private ka shprehur mendimin se vepra e Kelmendit në Kosovë është e kuptueshme, pasi që bëhen keqtrajtime në Armatën Jugosllave ndaj shqiptarëve.

Procesi i Paraqinit u dha shkas dhe nxitoi forcat nacionaliste serbe drejt aplikimit të një represioni edhe më masiv ndaj ushtarëve, eprorëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Dërguan njësitë speciale ushtarake dhe policore në çdo fshat me urdhrin e gjeneralit të Armatës së Parë, Petar Graqanin.

Shërbimet sekrete ushtarake planifikonin të vendosnin eksplozive nëpër tubime të serbëve dhe malazezëve, likuidimin e atdhetarëve të shquar në vend dhe jashtë vendit, shkatërrimin e varrezave serbe, për t’i fajësuar shqiptarët si “terroristë e vandalistë” të cilët kishin qëllim shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia.

Fushata antishqiptare po merrte përmasa me veprime dhe metoda fashiste

Krejt kjo fushatë e zezë antishqiptare, më së miri ilustrohet nga fjalimi dhe vlerësimi i admiralit jugosllav, Branko Mamulla, asokohe sekretar Federativ i Mbrojtjes të APJ-së, i cili në Komitetin e LKJ-së, më 27 shtator 1987, kishte arsyetuar veprimet e AJ-së dhe politikën e LKJ-së kundër shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti në APJ.

Ai duke u lavdëruar për punën në ndjekjen e ushtarëve dhe eprorëve shqiptarë kishte deklaruar: “Në periudhën e viteve 1981-1987 në APJ janë zbuluar 216 grupe të organizuara ilegale në të cilat ishin kyçur 1435 pjesëtarë të APJ-së të kombësisë shqiptare.

Është vërtetuar se disa grupe, përveç indoktrinimit, të forcimit dhe të masovizimit të radhëve të tyre, kanë planifikuar, kanë shprehur gatishmëri, kanë propaganduar, kurse disa edhe kanë përgatitur aksione më ekstreme në njësi, vrasje të eprorëve ushtarakë, helmimin e ushqimit dhe të ujit, diversione, sabotime, thyerje të depove dhe vjedhjen e armëve, ekscese grupore nacionaliste nëpër njësi, kurse grupet më ekstreme kanë shqyrtuar variantet e rebelimit të armatosur dhe shkuarjen në Kosovë me gatishmëri luftarake për t’iu bashkuar fazës së armatosur të kundërrevulucionit, me të cilën llogaritet.” ( Politika, 4.9.1987)

Të gjitha këto akuza tregojnë përmasat ndëshkuese që kishte ndërmarrë AJ kundër eprorëve, ushtarëve dhe kadetëve shqiptarë,si dhe arsyetimin hipokrit para opinionit se gjoja APJ ka qëndrim tejet të butë ndaj shqiptarëve, të cilët janë edhe më te këqij se sa turqit para 500 vitesh. Yshtjet dhe ndërsyerjet më antinjerëzore vinin kryesore vinin nga gjenerali i APJ-së, Nikola Lubiqiq, si dhe nga Kisha ortodokse serbe.

Marrë nga Skënder Ibishi

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!