MENU
klinika

Situata në Kakavijë dhe Kapshticë

Dyndje në kufij/ Në 7 ditë vijnë mbi 250 mijë emigrantë

29.12.2019 - 12:31

Emigrantë të shumtë vijojnë të kthehen në atdhe për të festuar festat e fundvitit pranë të dashurve të tyre. Përgjatë kësaj jave, policia njofton se kanë hyrë në Shqipëri, përmes pikave kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, mbi 250 mijë shtetas dhe 70 mijë automjete.

Policia thekson se po punohet me sportele të shtuara, dhe në bashkëpunim me policinë greke e FRONTEX, në mënyrë që të sigurohet një lëvizje e njëtrajtshme, por edhe e kontrolluar e qytetarëve.

“Prej datës 23 kemi pasur një rritje të fluksit të qytetarëve. Kjo ka ardhur për shkak të festave të fundvitit. Ne kemi shtuar sportelet dhe po punojmë me kapacitet të plotë. Fluksi është shumë herë më i madh se vitin e kaluar. Gjithashtu, kemi marrë masa që të mos kemi radhë të gjata edhe gjatë kthimit të tyre në vendet ku punojnë”– tha Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, Vilson Dine.

Njoftimi i policisë:

Kakavijë – Kapshticë

Masat e marra nga Policia Kufitare eliminojnë radhët e gjata në hyrje. Përgjatë javës, nëpërmjet pikave të kalimit të kontrollit kufitar kanë hyrë në Shqipëri mbi 250 mijë shtetas dhe 70 mijë automjete.
Policia Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit, vijon zbatimin e masave për eliminimin e radhëve dhe krijimin e lehtësirave ligjore, duke aplikuar kontrollet e lehtësuara kufitare.

Njëkohësisht, në Kapshticë e Kakavijë vijon bashkëpunimi mes dy policive, me qëllim që edhe Policia Kufitare greke të aplikojë masa të njëjta për të siguruar një lëvizje të njëtrajtshme dhe eliminuar radhët.

Policia Kufitare ka shtuar edhe kontrollet ne vijën e dytë në dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave të mundshme për trafikim të lëndëve narkotike duke përfituar edhe nga fluksi, ku në bazë të analizave të riskut, mjetet me risk kalohen në vijën e dytë dhe në skaner, për kontroll më të imtësishëm.

Në kufirin jeshil janë shtuar patrullimet në bashkëpunim me FRONTEX-in dhe me Policitë Kufitare homologe, me qëllim kontrollin sa më të mirë të kufirit, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sa emigrantë hynë nga Kapshtica?

Festat e fundvitit/ Shqiptarët rikthehen në atdhe