MENU
klinika

Rezultatet e Forumit Ekonomik Botëror

Hendeku gjinor/ Shqipëria lë pas Britaninë e Madhe

21.12.2019 - 16:08

Shqipëria renditet në vendin e njëzet në raportin e fundit global për dallimet gjinore, i cili përgatitet nga Forumi Ekonomik Botëror.

Vendi ynë është i 20-ti në listën me 153 shtete, duke lënë pas Britaninë e madhe, Italinë, Belgjikën si dhe të gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Listën e kryeson Islanda, e ndjekur në pozicionin e dytë, të tretë dhe të katërt nga vendet nordike si: Norvegjia, Finlanda dhe Suedia.

Raporti jep një kuadër më të plotë mbi të kuptuarit e masës dhe shtrirjes në mbarë botën, të dallimeve të bazuara në gjini, dhe për të ndjekur ecurinë në këtë fushë. Ai tregon dallimet gjinore të çdo shteti, sipas sektorëve të tillë si: ekonomia, politika, arsimi dhe shëndetësia.

Indeksi bën klasifikimin e shteteve, dhe lejon një krahasim efektiv mes rajoneve dhe grupeve të të ardhurave, për periudha të caktuara kohe. Në vitin 2012 Shqipëria renditej në vendin e 91-të në listën që kishte atëherë 135 shtete.

Në një studim të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë në politikë për vitin 2019, u raportua se Shqipëria renditej e 4-ta në botë sa i përket numrit të ministreve në qeveri.

Kështu, për herë të parë në historinë e Shqipërisë në 2018, Parlamenti pati numrin më të lartë të grave ministre (10 nga 20 ministra në qeverinë me prurje teknike dhe 7 nga 14 ministra në qeverinë e re 2017). U zgjodhën 39 gra deputete, 22 prej të cilave për herë të parë si përfaqësuese në Parlament.

Gjatë legjislaturës 2013-2017, rritja e numrit të grave deputete erdhi më shumë si pasojë e detyrimit në Kodin Zgjedhor për zëvendësimin e mandateve me gjininë më pak të përfaqësuar sesa përmes fitores direkt të mandateve.

Konkretisht, nga 36 mandate parlamentare të ndryshuara gjatë kësaj legjislature, 17 mandate i kaluan grave deputete të listës, shifër shumë më e lartë sesa numri i grave që u zgjodhën direkt nga mandatet e fituara në shtator 2013.