MENU
klinika

Talenti Erdis Kraja

“Jam shqiptar, prandaj zgjodha ngjyrat kuqezi”

05.12.2019 - 22:48

Shumë fëmijë emigrantësh shqiptarë janë në mëdyshje zgjedhjeje kur vjen puna për të luajtur me një ekip përfaqësues dhe mëse normale në botën komerciale që jetojmë sot.

Por ka shumë që menjëherë zgjedhin Shqipërinë, pasi e ndjejnë këtë. Erdis Kraja është mes atyre futbollistëve shqiptarë që po bëjnë shumë mirë përtej Adriatikut.

Djaloshi i lindur në Brescia nga prindër shqiptarë, që kanë emigruar atje për një jetë më të mirë, po tregon të gjitha vlerat që në moshë shumë të re, vetëm 19-vjeç, në radhët e një klubi me emër, si Palermo.

Deri tani ai e ka përballuar me shumë sukses rolin e tij në mesfushën e kësaj skuadre, duke luajtur thuajse çdo javë përballë 20 mijë tifozëve, të cilët presin me padurim ngjitjen e saj nga Seria D ku është aktualisht, për t’u kthyer përsëri në elitë.

I pazëvendësueshëm në radhët e Palermos, ka pasur shumë kuriozitet rreth Krajës dhe për këtë arsye “TRM” i ka kushtuar atij një intervistë të gjatë, mes së cilës, flet edhe për zgjedhjen për të luajtur me Shqipërinë.

“Prindërit e mi janë shqiptarë, kanë mbërritur në provincën e Brescia-s për punë e më pas kanë mbetur këtu, ku kam lindur unë. E vetmja kombëtare që më ka thirrur është ajo e  Shqipërisë dhe kam vendosur që të zgjedh atë,” – shpjegoi lojtari.

Kraja ka veshur fanellën kuqezi në aktivitete zyrtare me U-17 në vitin 2016, ndërsa tani pret një ftesë nga U-21. Futbollisti është dhënë në huazim nga Atalanta në këtë edicion te Palermo, pasi ishte pjesë e akademisë së saj dhe ai vlerëson punën që kanë bërë me të që në moshë të re.

“Atalanta ka marrë gjithmonë lojtarë nga akademia, ku ka investuar shumë. Sekreti i suksesit të tyre mendoj se vjen pikërisht nga kjo. Që shumë i vogël, unë kam kaluar të gjitha ekipet zikaltër, kam parë një ndryshim të rëndësishëm.

Atje fillimisht të mësojnë të luash futboll që fëmijë, duke lënë mënjanë taktikën. Pastaj i japin rëndësi edhe shkollës dhe fëmijës në vetvete, duan të të bëjnë të rritesh si njeri para se të jesh futbollist.

Mbarova shkollën vitin e kaluar, do ta mendoj nëse do të diplomohem në Universitet”, – rrëfeu Erdis Kraja, që së bashku me Massimiliano Dodën, në Horën e Arbëreshve morën një nismë konkrete për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Futbollistët Doda e Kraja si ambasadorë

Hora e Arbëreshëve, një ndeshje për Shqipërinë