Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë lëvizur nga pozicionet që patën si kushte për të arritur deri në marrëveshje për koalicionin.
Takimi i djeshëm në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës, nuk solli asnjë rezultat të ri, përveç se dy liderët i përsëritën kushtet që ia vunë njëri-tjetrit. Si rrjedhojë, VV e LDK e vetmja gjë për të cilën ranë dakort ishte vendimi për tu takuar sërisht, shkruan një nga mediat kosovare.
Pauza një javore që patën nga takimet Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk solli reflektim sa i përket qëndrimeve për koalicionin.
Menjëherë pasi që u kthye nga Gjermania, aty ku qëndroi për vizitë disa ditë, lideri i VV-së Albin Kurti e thirri në takim të parin e LDK-së, Isa Mustafën. Mirëpo, pas një takimi një orësh, marrëveshja nuk u arrit as të mërkurën.
Kurti e Mustafa ia përsëritën edhe një herë pozicionet që kanë njëri-tjetrit, në mënyrë që të dy palët të dakordohen për marrëveshjen.
Ajo se çka u tha brenda takimit, siç merret vesh është se VV nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket pozitës së presidentit që do ta pasojë Hashim Thaçin, ndërsa LDK insiston që kjo pozitë ju takon atyre.
Kurti e Mustafa zgjodhën që për mosmarrëveshjet kësaj radhe të mos flasin para mediave, aty ku pak minuta pas përfundimit të takimit doli zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
“Takimi në mes dy liderëve ka përfunduar, të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e marrëveshjes”– tha shkurtimisht ai.
Për takimin, folën edhe nga VV-ja përmes një komunikate të shkurtër drejtuar mediave.
“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”– thuhet në njoftimin e VV-së.
Presioni partive iu shtua edhe nga thirrja e seancës konstituive nga presidenti Hashim Thaçi.
Presidenca dje njoftoi se seanca është thirrur për datë 24 dhjetor, që i jep kohë LDK-së e VV-së, edhe dy javë për të nënshkruar marrëveshjen e koalicionit.