Emanuel Egbo është përkohësisht trajneri i Tiranës për ndeshjen kundër Partizanit në derbi. Ai është nigerian, por zotëron shumë mirë gjuhën shqipe dhe ka pasaportë shqiptare, pasi ndodhet në vendin tonë që nga 2001.
Trajneri i portierëve ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe u ndal te derbi duke e konsideruar thjesht ndeshjen e radhës. Ai shtoi se të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme teksa bëri edhe një krahasim të Tiranës së ditëve të sotme, me atë të kohës kur Egbo luante.
Derbi? “Duke pasur parasysh si kanë ardhur ngjarjet nga ndeshjet e fundit. çdo herë më kanë kërkuar ë bëj një punë e kam bërë. Nuk është punë e madhe por detyrë që duhet ta bëj.
Normalisht është si ndeshje e radhës, por është derbi dhe ka shumë interesim. Është shumë e vështirë normalisht. Nuk e shoh për objektivat por si ndeshje që duhet fituar. Duam të marrim maksimumin. Jemi 6 pikë nga vendi i parë dhe do të futemi në fushë vetëm për të fituar.”
Trajneri i duhur për derbin? “Nuk e di a jam apo jo i duhuri, por më kanë dhënë besim për të drejtuar skuadrën në këtë ndeshje. Më shumë nuk di dhe jam i detyruar të vazhdoj.
Nuk jam unë gati për të shkuar deri në fund të sezonit. Te Tirana ka nevojë për trajner me më shumë eksperiencë. Kam drejtuar Bylisin, por Tirana duhet të ketë një staf dhe sa të kalojmë këtë ndeshje, do të vendoset.”
Çfarë i mungon Tiranës? “Nuk na mungon asgjë. Duhet të luftojmë. Mos të hyjmë në fushë me idenë se kemi kohë pa fituar duke dalë jashtë objektivave. Është e vështirë si ndeshje sepse janë në vendin e parë. lojtarët do të japin 100% në fushë sepse me 3 pikë do të lehtësoheshin shumë gjëra.”
Pesha e fanellës? “Nuk është puna kush e ndjen më shumë. Në kohën time ka qenë epokë tjetër. Kur kemi dalë kampion kemi qenë më ndryshe. Kur fillonte ndeshja, fillonte 1-0 për Tiranën ndërsa tani çdo gjë ka ndryshuar. Të gjitha skuadrat janë aty ndërsa në kohën time ishin vetëm Tirana, Partizani dhe Dinamo.”
Mungesat? “Edhe ne kemi, edhe ata kanë. Nuk kemi Dungën, Kale, Osmani, Hasani. Edhe ata që do të fus, do të japin 100% nesër”, – u shpreh Egbo.