Ashtu siç pritej, Liverpool dhe Napoli janë kualifikuar për më tej nga Grupi E i Champions League. Kampionët në fuqi të Europës fituan 2-0 në Austri ndaj Salzburgut.
Liverpool vuajti jo pak në pjesën e parë, por në të dytën zgjidhi gjithcka, duke mos u dhënë shans vendasve të ëndërrojnë. Keita dhe Salah në harkun kohor të dy minuta, 57’ e 58’, shënuan për të kuqtë.
Kjo fitore e konfirmon Liverpool-in si të parin e grupit, ndërkohë që Salzburg do të vazhdojë aventurën në Europa League, ashtu si sezonin e kaluar.
Napoli reagon sërish në Champions. Nëse në kampionat është në krizë, këtu shkëlqen. Të kaltrit fituan 4-0 ndaj Genk në “San Paolo”, me ndeshjen që u vendos që në pjesën e e parë me 3 gola, të 3 të shënuar nga Milik.
Penalltia e Mertens në 75’ vetëm sa thelloi diferencën, pasi belgët ishin të pafuqishëm për të reaguar. Napoli kalon grupin si vend i dytë dhe në raundin tjetër e pret një përballje e vështirë.