Pak ditë më parë u përfol që ndeshja play-off e Ligës së Kombeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhej në Strumica, kjo për të ardhur sa më pak tifozë shqiptarë.
Por duket se gjërat kanë ndryshuar, edhe pse fjalën e fundit do të thotë UEFA. Ndeshja me shumë mundësi do të luhet në Shkup, në një nga stadiumet më të mira të rajonit.
Në muajin mars, Kosova ka mundësinë e artë për të shkuar për herë të parë në Europian dhe përballë fillimisht do të ketë skuadrën e Maqedonisë së Veriut. Nëse fiton, do të ndeshet me çiftin Bjellorusi-Gjeorgji. Triumfuesi i Ligës D shkon në Euro 2020.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka kërkuar nga federata maqedonase një numër më të lartë biletash për tifozët shqiptarë dhe në lidhje me këtë kërkesë, ka reaguar vetë presidenti i Federatës Maqedonase të Futbollit, Muhamet Sejdini.
“Më 18 dhjetor 2019 do të kemi Këshillin Drejtues dhe do të vendosim përfundimisht ku do të luhet. Por, alternativa e parë është stadiumi në Shkup, por do ta lë një rezervë të vogël nëse Komisioni për Integritet në UEFA, e sheh si ndeshje me rrezikshmëri këtë ndeshje, atëherë do të ketë ndryshime.
Por, fillimisht them se ndeshja do të luhet në Toshe Proeski në Shkup dhe do t’iu tregojmë botës se do të dimë të organizojmë ndeshje të tilla. Jam mik me Agim Ademin, por edhe me Dukën, udhëtojmë shpesh bashkë. Nuk i lë anash edhe federatat e Ballkanit. Jemi gjithnjë bashkë. Jam i gatshëm t’ia mbush kërkesën Ademit”, – tha Sejdini.