Lionel Messi është rikthyer magjik mbrëmjen e sotme. Sulmuesi argjentinas shënoi 3 gola në fitoren 5-2 të Barcelonës ndaj Mallorca-s, sfidë e luajtur në “Camp Nou”.
Ka qenë gjithçka e lehtë për skuadrën e Valverde-s, që ka zhbllokuar takimin në minutën e 7-të me Griezmann, i cili ka finalizuar me një goditje të bukur asistin e marrë nga Ter Stegen.
Ky i fundit është i vetmi portier që ka dhënë dy asiste në këtë sezon në pesë kampionatet kryesore të Europës. Pas këtij momenti ka filluar spektakli i Messi-t, i cili ka realizuar dy magji pothuajse identike në minutën e 17-të dhe të 41-të.
Argjentinasi është i vetmi lojtar që ka shënuar 10 ose më shumë gola në 14 sezone radhazi në pesë kampionatet kryesore të Europës. Në mes të dy golave të Pleshtit ka ardhur reagimi i Mallorca-s, që ngushtoi përkohësisht diferencat në 2-1 me Budimir në minutën e 35-të.
Fundi i pjesës së parë është mbyllur me një golazo të Luis Suarez në minutën e 43-të. Në pjesën e dytë, Budimir ka shënuar golin e tij të dytë personal dhe të dytin për Mallorca-n në minutën e 64-t.
Katalanasit janë kundërpërgjigjur në të 53-n me Messi-n, i cili ka fiksuar shifrat në 5-2 dhe ka realizuar tregolëshin e 35- të të karrierës në La Liga, duke parakaluar Ronaldo-n në renditjen e lojtarëve që kanë shënuar më shumë tregolësha në historinë e kampionatit spanjoll.