MENU
klinika

Partizani-Tirana

Ndizet atmosfera, derbi i jep jetë kryeqytetit

13.12.2019 - 18:18

Lojtarët zbresin në fushën e lojës për të parë terrenin e “Air Albania”, stadium ku luajnë për herë të parë në karrierën e tyre, me përjashtim të Hoxhës e Trashit që e kanë vizituar edhe më parë me kombëtaren shqiptare.

Ora 17:35 “Lumi i kuq” i afrohet stadiumit. Tifozët e Partizanit kanë marshuar si zakonisht nga pikënisja e tyre te “21 Dhjetori” dhe i janë afruar stadiumit duke lëshuar si zakonisht koret e tyre të shoqëruar kudo nga forcat policore për të evituar incidente.

Ora 17:15 Ashtu siç pritej, 2 orë para sfidës ka filluar hyrja e tifozëve në stadium. Të parat kanë filluar të mbushen tribunat pas portave, ku janë të vendosur tifozët ultras të dy skuadrave, nga të cilët pritet të ndezin atmosferën në duelin e sotëm.

Ora 17:00 Stadiumi “Air Albania” po bëhet gati pak nga pak për derbin e kryeqytetit, të parin në këtë impiant i cili sot mund të mbushet plotësisht falë interesit të jashtëzakonshëm që ka pasur për këtë sfidë. Të parët që kanë hyrë në stadium kanë qenë tifozët e Tiranës, të cilët janë mbledhur prej disa orësh në qendër të kryeqytetit.

Ata, të shoqëruar nga forca të shumta policie, janë vendosur në tribunën “Vasillaq Zëri’, ndërsa forca të shumta të rendit kanë qenë të gatshme edhe në pjesë të tjera të stadiumit, në pritje të tifozerisë së Partizanit që do të pozicionohet në tribunat “Fatmir Frashëri” dhe “Panajot Pano”, pa harruar ata që do të jenë në tribunën kryesore “Qemal Stafa”.

Policia ka evituar çdo përplasje të mundshme mes tifozerive dhe është ideuar marshimi dhe hyrja e tyre në stadium në mënyrë të ndarë, që të mos ketë probleme,aq më tepër në këtë ndeshje ku po përpiqet që të krijohet një atmosferë sa më e bukur meqë në stadiumin e ri pritet të ketë shumë familjarë të cilët do të ndjekin duelin.