MENU
klinika

Arritjet, sfidat dhe dështimet e një viti

Ngjarjet ekonomike më me ‘zë’ në 2019

31.12.2019 - 20:27

Fillimi i vitit 2019 nisi me një ristrukturim të kabinetit ministror në vend, ku dy nga ministritë më të rëndësishme iu besuan drejtimit të zonjave.

Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës në janar të 2019 i kaluan në administrim përkatësisht Anila Denaj dhe Belinda Balluku. Për të dyja këto institucione sfidat, akuzat dhe deri tek dështimet nuk munguan.

Ministria e Financave

Lojërat e fatit, bastet dhe ndikimi i tyre:

2019 ishte viti i cili vuajti shumë mungesën e energjisë elektrike dhe investimeve të huaja. Përpos një situate aspak të mirë hidrike, Shqipëria po ashtu u penalizua edhe nga ndalimi i lojërave të fatit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej të paktën 12 miliardë lekësh.

“Ne jemi të vendosur për të mbyllur lojërat e fatit në vend. 31 dhjetori 2018 është dita e fundit kur do të lejohen lojërat e fatit”– tha Ahmetaj.

Ishte kjo fjala e ish Ministrit të Financave Arben Ahmetaj për vendimin që hyri në fuqi në 1 janar të 2019-ës, dhe që u pasua me ndëshkimin e shumë personave që shkelnin ligjin, të cilët ushtronin këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Projektligji goditi rëndë një plagë sociale, por nga ana tjetër, u kthye në një gropë për buxhetin e shtetit, dhe ndikimin më të madh e dha në 6-mujorin e parë të 2019-ës.

“Me këtë vendim u japim fund problemeve sociale si dhe akuzave lart e poshtë që thonin se nuk do ta bëjnë”- tha Braçe.

Ky ndikim negativ në fushën e financave publike u pranua për herë të parë vetëm në 1 korrik nga ministrja e Financave Anila Denaj e cila theksonte se kostoja është e ndjeshme por e parashikuar.

“Efektet negative në tregun e lojërave të fatit, të cilat patën ndikim në tremujorin e parë janë një kosto që e kemi përllogaritur, sepse të mirat sociale janë shumë më të mëdha dhe në afatgjatë do të përkthehet edhe në përfitim ekonomik”– tha Denaj.

Edhe pse ky ndikim ishte i pritshëm, përsëri gropa që krijoi në buxhet ndikoi ndjeshëm në treguesit ekonomikë dhe zërat e buxhetit 2019. Për ekspertin Fatos Çoçoli ndikimi i mbylljes së lojërave të fatit i shkaktoi buxhetit 50 milionë euro më pak të ardhura.

“Shteti merrte çdo vit në formën e taksave nga aktiviteti i basteve, 50 milionë euro. Kjo e ardhur gjatë këtij viti ka munguar në buxhetin e shtetit”- tha Fatos Çoçoli.

Ndërkohë pas rreth 12 muajsh nga ky vendim eksperti i njohur Ardian Civici thotë se ky efekt negativ tashmë është drejt fundit, dhe se në vitin 2020 nuk do të ndjehet.

“Minimalisht edhe mund të ndjehet po nga pikëpamja e logjikës ekonomike ky mund të quhet problem i mbyllur sepse e dha efektin 6-mujor apo 1-vjeçar, që u mbyll një aktivitet që kishte dhe punësim edhe të ardhura, por meqenëse ishte një lloj aktiviteti që nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik me efekte afatshkurtra mendoj që tani është rikuperuar”– tha Civici.

Edhe pse ky vendim shkaktoi luhatje ekonomike, ky ishte një vendim i pakthyeshëm dhe do të mbetet i tillë. Për qytetarët ky ishte një nga vendimet më pozitive të këtij viti.

Tashmë në të shumtën e rasteve, zyrat ku ushtrohej ky aktivitet janë kthyer në biznese të tjera por me ndryshimin e vetëm që numri i të punësuarve në to është më i reduktuar nga sa ishte nëpër pikat e basteve, po ashtu si dhe xhiroja dhe fitimi i tyre.

Eenergjia elektrike dhe importet:

Ndryshe nga viti 2018, viti 2019 nuk u favorizua as nga situata hidrike. Që në muajin janar mungesa e energjisë elektrike goditi direkt të ardhurat. Në tremujorin e parë referuar deklaratës së ministres Anila Denaj, prodhimi i energjisë u tkurr me 63% krahasuar me tremujorin e 2018.

Thatësira e këtij viti, mungesa e eksporteve dhe për pasojë edhe importi i lartë rriti kostot për ekonominë e vendit. Ndikim që u ndje edhe në tremujorin e dytë, ku nëndrejtori i përgjithshëm i tatimeve Xhavit Curri u shpreh në shtator se mungesa e energjisë në 6 muaj shkaktoi dëm 2.1 miliardë lekë.

“E paparashikuar ishte edhe situata në sektorin hidro-energjetik ku për shkak të kushteve hidro-energjetike administratës Tatimore i ka munguar në buxhetin e shtetit më shumë se 2.1 miliard lekë TVSH, pra që arkëtoheshin sidomos nga kompanitë që prodhojnë energji elektrike por jo vetëm, përfshirë këtu edhe kompanitë që tregtojnë energji elektrike”– tha Xhavit Curri.

Përveç këtij faktori edhe mungesa e investimeve në sektorin energjitik si dhe afrimi i përfundimit të dy projekteve madhore në këtë fushë si gazsjellsi TAP dhe projekti në kasakadën e Devollit ndikuan jo pak në ekonomi.

“Mendoj që lidhet me faktin e zvogëlimin e efektit e përfundimit të dy projekteve të mëdha të huaja, që kanë të bëjnë me TAP dhe Kaskadën e Devolli, ndërkohë që edhe në studime të tjera paraprake dhe nga Banka Botërore por edhe nga institucione të tjera që analizojnë rastin e Shqipërisë, gjithmonë shifra e rritjes ekonomike ishte ndarë në dy element:

-në atë rritje ekonomike që buron strukturalisht nga kapacitete potenciale të ekonomisë së Shqipërisë,

– dhe nga efekti që kanë 2 faktor që mund ti quajmë ngjashëm në një farë mendimi, ndikimi i prodhimit dhe importit të energjisë elektrike, dhe efekti i këtyre dy projekteve të mëdha të investimeve të huaja direkte”- u shpreh eksperti Civici.

Faktorët e lartpërmendur çuan në përgjysmim të rënies ekonomike nga viti në vit. Nga 4.1% në vitin 2018, ekonomia u përgjysmua në 2.5% në 6 mujorin e parë. Situata e ecurisë ekonomike u përmirësuar disi në 3 mujorin e tretë e ndihmuar nga turizmi, industria dhe energjia elektrike.

“Instat prezanton sot Produktin e Brendshëm Bruto për tremujorin e tretë të vitit 2019, i cili vlerësohet me një rritje prej 3.81% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2018”– është shprehur Dhuli.

Por ndikim aspak pozitiv në një situatë të tillë dha edhe mosrealizimi i planit të të ardhurave në asnjë muaj të vit. Diferenca më e madhe ishte e dukshme tek zëri i të ardhurave nga TVSH.

Sipas përllogaritjeve të bëra, referuar shifrave të Ministrisë së Financave në 11 muaj vetëm nga TVSH janë mbledhur rreth 31 miliardë lekë, më pak se në vitin 2018.

Mosrealizimi i planit çoi edhe në shkarkimin e Enton Duros, si drejtor i Tatimeve vetëm tre muaj pas emërimit në detyrë, si dhe të drejtorit të doganave Arlind Gjokuta rreth 6 muaj pas marrjes së detyrës.

Evazioni fiskal është fajësuar jo pak sa i takon mbledhjes së të ardhurave. Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve por edhe Doganat, nisën një aksion të gjerë anti-informalitet, që nga bizneset ushqimore e deri tek sektori i hidrokarbureve. Por për ekspertët mosrealizimi i planit vjen si pasojë e subjektivizmit të treguar gjatë hartimit të tij.

“Pavarësisht se sa herë ne bëjmë parashikime me natyrë buxhetore ku futen edhe të ardhurat gjithmonë themi , ose mungojnë studimet e mirëfillta për ti garantuar këtë nivel të ardhurash, ose ka tejet optimizëm nga qeveria për të treguar se gjithçka do të shkojë mirë”– ka thënë Civici.

“Momenti i planifikimit të ardhurave të buxhetit të shtetit sidomos porsa i përket aktivitetit fiskal, pra mbledhjes së taksave dhe tatimeve ka qenë pak më shumë se optimist, në kuptimin që kemi menduar gjithnjë që do të kemi një rritje ekonomike gjithmonë të barabartë ose më të lartë si viti 2018”– tha Çoçoli.

Aksioni u shtri gjerësisht në bizneset që kryenin shkelje dhe për pasojë shumë biznese u gjobitën dhe me dhjetëra të tjerë u mbyllën. Aksioni anti-informalitet i vazhdueshëm i shtrirë në shumë sektorë të ekonomisë tregoi se sipas Financave 40% e bizneseve rezultojnë në shkelje të ligjit.

“Rezultatet e këtij viti me të gjithë format dhe mundësitë e bashkëpunimit që kemi pasur ndërinstitucional ku konstatimi ynë si në informalitetin në biznes ashtu dhe në raport me punësimin ka konstatuar në një masë 35-40%”- tha Denaj.

Informaliteti pritet të ulet në vitin 2020 për shkak të implementimit të fiskalizimit i cili do të monitorojë bizneset në kohë reale dhe pajisjet e reja fiskale do të jenë aplikacione.

Tërmeti 21 shtatorit:

Fatkeqësia natyrore do të ishte një goditje tjetër për financat e shtetit shqiptar. 21 shtatori do t’i jepte një kthesë tjetër buxhetit të 2019-ës, duke çuar në rishikimin e tij dhe në rishpërndarjen e fondeve. Nëpërmjet një akti normativ, Ministria e Financave rishikoi buxhetin në ulje, duke marrë parasysh kostot e tërmetit, që çoi në shtimin e fondit të rezervave, por uli parashikimin për nivelin e të ardhurave me mbi 3 miliardë lekë.

Nga 364.9 miliardë lekë, pritshmëritë u ulën në 361.9 miliardë lekë në fund të vitit. Më pas teksa miratohej në Kuvend akti normativ, u vendos edhe rishikimi i pritshmërive për nivelin e rritjes ekonomike, nga niveli 4% në nivelin e 3.4%.

Mirëpo sfidat e një buxheti të rishikuar në rënie, nuk kishin mbaruar.

Tërmeti i 26 nëntorit:

Tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit përveç se shkaktoi 51 jetë të humbura, goditi edhe një herë buxhetin e shtetit për këtë vit, pasi u rrit jashtëzakonisht kërkesa për shpenzime, ndërkohë që, veç problematikës së zakonshme, u ulën edhe të ardhurat si pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik në disa zona ku u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Ndërkohë fatura e kësaj fatkeqësie çoi edhe në rishikimin e buxhetit 2020, i cili tashmë ka si pjesë të tij edhe fondin e rindërtimit në vlerën e 20 miliardë lekëve.

502 miliardë lekë është buxheti i miratuar në Kuvend, për vitin 2020. Një buxhet disi i komentuar dhe i diskutueshëm në komisionet parlamentare në varësi të zërave që ka zgjedhur të mbështes, por që me faturën e tërmetit ka ndryshuar plotësisht.

Në buxhet është përfshirë 20 miliardë lekë fondi për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërkohë që sektorët prioritar të Ministrisë së Financave por edhe të qeverisë e do të vazhdojnë të jenë 2020 është arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.

Pavarësisht rishikimit Civici shprehet se rritja ekonomike në nivelin e 4% vështirë të arrihet.

“Nëse ka një faktor që mund ta realizojë rritjen ekonomike 4%, do të jenë të gjithë ndihmat të gjitha donacionet dhe financimet që do të bëhen për eliminimin e pasojave të tërmetit. Natyrisht këtu duhet të bëjmë një dallim midis rritjes ekonomike si shifër që mund të jetë 4%, dhe efekteve që ajo ka në eliminimin e varfërisë në shpërndarjen e mirëqenies që vjen nga rritja ekonomike”- tha Civici.

Por rishikimet ende nuk kishin përfunduar pasi, në 24 dhjetor, Këshilli i Ministrave vendos të ndryshojë buxhetin e vitit 2019, për të dhënë bonusin për pensionistët.

“Atëherë kur nuk pritej Ministria e Financave ka shuar të gjitha dyshimet, duke deklaruar se pensionistët dhe familjet në nevojë do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit. Pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit qeveria ka vendosur që pensionistët të marrin shpërblimin e përvitshëm. Nga buxheti i shtetit do të jepet 3 mijë lekë të reja për çdo pensionist dhe familje në nevojë.

Sot Këshilli i Ministrave mori vendimin për të akorduar bonusin për pensionistët. Ne mbajtëm zotimin tonë për një solidaritet me pensionistët duke konsideruar një bonus në masën e 3 mijë lekëve për çdo pensionist dhe kategori tjetër që trajtohen me pensione të veçanta”– u shpreh Denaj pas marrjes së vendimit për dhënien e shpërblimit.

Nga ky vendim do të përfitojnë 663.227 persona nga të cilët 530 mijë janë me pension pleqërie. Vlera e këtij shpërblimi arrin në 2.4 miliardë lekë, që sipas ministrisë është marrë nga kursimet.

Ministria e infrastrukturës dhe energjisë:

Vendimi i parë i Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku sapo mori detyrën ishte anulimi i procedurat së koncesionit privat për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar si një projekt prej 225 milionë eurosh. Fondi i përcaktuar për këtë aks do të vendosej në funksion të “Paktit për Universitetin”.

“Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për Aksin Thumanë – Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj fizike e qoftë asaj digjitale”– tha Balluku.

Vendimi i dytë i rëndësishëm ishte pezullimi i projektit Kardhiq-Delvinë. Tenderi prej 23 milionë eurosh që pritej t’i jepte zgjidhje ndërtimit të lotit 7 të këtij aksi ka mbetur pezull.

“Ministria ka të drejtë që t’i japë prioritet disa nga çështjeve emergjente që mund të ketë, dhe nuk ka lidhje ka fonde apo s’ka fonde. Këto janë prioritetet momentale që ka Ministria. Po flasim për shtyrje të procesit. Kjo shtyrje procesi vjen për shkak sepse ka një projekt tjetër i cili është më emergjent. Ju duhet ta kuptoni që ARRSH nuk bën vetëm rrugë të reja. Kemi ura, rrugë të cilat mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar”- tha Balluku.

Debati për koncesionet nuk ka pasur të ndalur gjatë këtij viti. Ashtu si edhe më parë, akuzat nga opozita kanë qenë shumë të ashpra, duke i konsideruar fituesit e koncesioneve si oligarkë dhe miq të qeverisë. Dy ishin kontratat më të bujshme që kanë zënë vend në debatet politike por edhe në studiot televizive: Milot- Balldren dhe Orikum-Dukat dy koncesione të miratuara nga qeveria dhe që kapin shifra marramendëse duke arritur së bashku në mbi 300 milionë euro.

Të dyja këto kontrata janë kritikuar edhe për një arsye tjetër, për faktin që vinin si ofertë e pa-kërkuar, e cila ishte parashikuar të ndalohej në sektorin infrastrukturor në muajin korrik të këtij viti por që u shty për në tetor po të këtij viti, ndërsa kontratat u miratuan përfundimisht në muajin shtator. Për ekspertin Civici në situatën që ndodhemi pas tërmetit të 26 nëntor duhet analizuar më mirë edhe situata dhe kostot e koncesioneve.

“Çdo partneritet publik privat në vetvete është një financim për zhvillimin kryesisht në infrastrukturën e rëndë, por nga ana tjetër nga viti në vit pesha e buxhetit për të shlyer detyrimet e shtetit ndaj Partneritetit Publik Privat sa vjen dhe rritet duke kufizuar mundësinë për fonde të lira për sektorë të tjerë”– u shpreh Civici.

Ndërkohë viti 2019, nuk i dha një zgjidhje përfundimtare ndërtimit të Unazës së Re pas skandalit me kompaninë fantazmë DH Albania.

Ngjarja tjetër më e rëndësishme ishte edhe hapja e tenderit për ndërtimin e Hekurudhës Shqiptare. Më 1 nëntor të këtij viti zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli, njoftoi se dhjetë kompani të huaja kanë afat deri më 15 shkurt 2020 që të paraqesin projektet e tyre për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë – Durrës.

Tenderi i hapur do të bëhet me fonde të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që, në bashkëpunim me shtetin shqiptar, parashikohet të arrijnë në total 90.5 milionë euro. Ndërkohë bileta për udhëtarët siç është bërë e ditur nga Ministria e Infrastrukturës mendohet të jenë nga 1.5 deri në 2 euro.

Kjo mbetet një shifër paraprake pasi mund të ketë edhe diskutime pas nënshkrimit të kontratës me fituesin.

Dhe hapi tjetër më i rëndësishëm i kësaj ministrie ishte hapja e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Një investim për pritet ti japë një tjetër frymë zhvillimi vendit.

“Kemi ngritur një tender ndërkombëtar për një vepër ndërkombëtare, bazuar në parimet e barazisë dhe konkurrencës. Ky aeroport është pikënisja e planit të investimit që kemi. Shumë shpejt do të hapet tenderi Adriatiko-Jonian, Thumanë- Rrogozhinë.

Do punojmë për tunelin e Llogarasë. Hapet zyrtarisht thirrja për ndërtim dhe operim të aeroportit. Shpallim sot hapjen e këtij tenderi ndërkombëtar, do të sjell konkurrencës dhe shërbime të larta. Me 12 mars përfundon afati për të dorëzuar ofertat. 35 vite zgjat koncesioni. Më 31 maj fillojnë punimet për ndërtimin e tij”– tha Balluku.

Ministria e Infrastrukturës po ashtu ka bërë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm sa i takon energjisë së rinovueshme, lidhjes së kontratave për kërkime të reja nafte, ku spikati kontrata me gjigantin italian ENI, por nuk duhet harruar skanimi i të gjitha HEC-eve për të identifikuar nëse ka devijime kontraktuale. Sfida e 2020 mbetet diversifikimi i burimeve energjetike për të shmangur sa më tepër importin.

Banka e Shqipërisë , kartmonedhat:

Ishte kjo ngjarja më e rëndësishme e Bankës së Shqipërisë për vitin 2019, e cila vendosi të nxjerr në qarkullim serinë e re të përmirësuar të kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor. Seria e re e kartëmonedhave Lek përmban 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe prerjen e re 10000 Lekë.

“Këto kartëmonedha kanë disa të reja por unë do ti përmblidhja në tre drejtime kryesore, që janë:

1. Së pari ato janë më të sigurta pasi janë të integruara në to elemente të sofistikuara të sigurisë.

2. Janë përdorur teknika bashkëkohore në drejtim të dizajnit të elementeve kryesor dhe ato shoqërues të kartëmonedhës.

3. Ato janë më rezistente për shkak të përdorimit të elementeve më rezistent, siç është polimeri që është përdorur në kartëmonedhën 200 lekë”– tha Ervin Sahatçiu.

Kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë u hodhën në qarkullim që nga data 30 shtator 2019. Në vitin 2020 pritet të hidhen në qarkullim kartëmonedhat 10000 Lekë dhe 1000 Lekë.

Viti 2021 pritet të sjell në duart e qytetarëve kartëmonedhën e re 2000 lekë dhe në vitin 2022 të përfundojë hedhja në treg e serisë së re me futjen në përdorim të kartëmonedhës së re 500 Lekë.

2019 mund të konsiderohet si viti i sprovave të mëdha si nga ana politike ashtu edhe nga ajo ekonomiko-financiare. Për herë të parë ndodhi që Kuvendi u braktis nga deputetët e opozitës duke djegur mandatet, ndërsa nuk munguan tensionet politike duke dëmtuar jo pak investitorët.

Ndërkohë INSTAT njoftoi se, si pasojë e rritjes së ndjeshme të sektorit të turizmit këtë vit, papunësia ra 11.4% në tremujorin e tretë.

Rritja e parashikimeve duhet të jetë në të njëjtin nivel që ka ekonomia për të frymuar, përndryshe nuk kemi rritje ekonomike por premtime pa realizim!