Ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi takoi në Durrës vullnetarët që po ndihmojnë për kapërcimin e situatës së krijuar nga tërmeti i datës 26 nëntor.
Që prej datës 4 dhjetor mbi 100 të rinj e të reja janë vendosur pranë shtabit të emergjencave në Durrës për të asistuar administratën dhe ekspertët e huaj në fluksin e madh të qytetarëve të prekur nga tërmeti që kërkonin ndihmë.
“Ndihemi krenarë për këta të rinj që nuk kanë kursyer aspak kohë nga koha e tyre që ditët e para të tërmetit. Ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për të përballuar situatën e rëndë. Besoj se pa ndihmën e tyre nuk do ishim në këtë situatë kontrolli të gjendjes”– tha ministri Çuçi.
Të rinjtë vullnetarë presin qytetarët në sportelet e Bashkisë, duke i ndihmuar me plotësimin e dokumentacionit për strehim, dorëzimin e akt-konstatimeve, dhënien e informacionit mbi bonusin e qirasë etj. Të rinjtë mbulojnë edhe linjën telefonike të emergjencave për të tre qarqet e prekura nga tërmeti, si dhe ndihmojnë në shpërndarjen, kategorizimin dhe paketimin e ndihmave.
Deri më tani rrjeti i vullnetarëve kanë bërë në total mbi 3 mijë orë pune. Falë vullnetarëve kampet dhe hotelet ku janë strehuar qytetarët nuk kanë qenë vetëm vende strehimi, por janë kthyer në qendra të rekreacionit, aktivitetit dhe argëtimit të fëmijëve.