MENU
klinika

Projektligji i ri

Pagesat online do të bëhen edhe pa kartë!

19.12.2019 - 09:26

Banka e Shqipërisë, e cila ka iniciuar një projektligj të ri në fushën e pagesave me vlerë të vogël, shpjegon se paketa e re ligjore rrit aksesin e popullatës në shërbimet bankare dhe redukton kostot e këtyre shërbimeve. Një nga lehtësitë do të jetë edhe pagesa online për mallra dhe shërbime edhe nëse nuk disponon një kartë bankare.blerje karte

Banka sqaron se, një koncept i ri i krijuar nga projektligji është dhe institucioni për shërbimin e llogarisë, që përfaqëson konceptin e njohur si “bankë e hapur”.

Kjo nënkupton që bankat, të cilat tradicionalisht mbajnë llogaritë e klientëve, do të kenë detyrimin të informojnë institucionet, të cilat ofrojnë dy shërbimet inovative (të inicimit të pagesave dhe të informimit mbi llogarinë mbi disponueshmërinë e fondeve ose gjendjen e llogarisë) me qëllim final kryerjen e pagesave e reja të promovuara dhe të rregulluara nga projektligji, synojnë të lehtësojnë aksesin e publikut të gjerë në shërbimet elektronike të pagesave, si nga pikëpamja e kostove, ashtu edhe nga lehtësia e përdorimit, shkruan Monitor.

Institucionet që lehtësojnë pagesat

Ofruesit e shërbimeve të inicimit të pagesave zakonisht i ndihmojnë konsumatorët të bëjnë pagesa në internet dhe të informojnë menjëherë tregtarin për inicimin e pagesës, duke lehtësuar kështu tregtinë elektronike. Këto institucione mundësojnë kryerjen e blerjeve online edhe nga konsumatorë të cilët nuk zotërojnë një kartë debiti apo krediti, por kanë një llogari bankare të aksesueshme nga interneti. Njëkohësisht, ky lloj shërbimi ofron edhe një alternativë për tregtarin për të pranuar pagesa elektronike, duke nxitur kështu konkurrencën e tregut, jo vetëm nëpërmjet aktorëve por dhe nëpërmjet instrumenteve të ndryshme.

Informacioni mbi llogarinë

Shërbimet e informimit mbi llogarinë u mundësojnë konsumatorëve dhe bizneseve të kenë një pamje të përgjithshme të gjendjes së tyre financiare, për shembull, duke i lejuar konsumatorët të konsolidojnë llogaritë e ndryshme rrjedhëse që mund të kenë me një ose më shumë banka dhe të kategorizojnë shpenzimet e tyre sipas tipologjive të ndryshme (ushqim, energji, qira, kohë të lirë etj.), duke i ndihmuar kështu në buxhetimin dhe planifikimin financiar.

Shërbimi i llogarisë

Emetimi i një instrumenti pagese është një nga shërbimet e pagesave brenda fushëveprimit të direktivës. Secili ofrues i shërbimeve të pagesave, një bankë ose një institucion pagese, mund të emetojë instrumente pagesash. Projektligji me qëllim nxitjen e mobilitetit të instrumenteve të pagesave, pavarësisht institucionit ku klienti ka llogari, krijon konceptin e “Institucionit për shërbimin e llogarisë”.

Institucionet për shërbimin e llogarisë mundësojnë që ofruesit e shërbimeve të pagesave (bankat, institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e pagesave), të cilët nuk administrojnë llogarinë e përdoruesit të shërbimeve të pagesave, të kenë mundësi të emetojnë instrumente të pagesave me karta dhe ekzekutimin e pagesave të kryera me to nga ana e përdoruesit. Më në detaje, ofruesi i shërbimeve të pagesave nëpërmjet këtyre shërbimeve, mund të informohet, me pëlqimin e përdoruesit, mbi gjendjen e llogarisë në një institucion tjetër dhe kështu të mundësohet ekzekutimi i pagesës duke shmangur kredinë midis palëve.

Vlen të theksohet se instrumentet e pagesës nuk mbulojnë vetëm kartat e pagesave, siç janë kartat e debitit dhe kartat e kreditit, por çdo pajisje të personalizuar ose si rregull të rënë dakord midis emetuesit dhe përdoruesit që përdoret për të iniciuar një pagesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN