MENU
klinika

Ja kush ka jetuar aty

Pallati i VIP-ave shpallet i pabanueshëm në Durrës

04.12.2019 - 10:47

 Forcës së tërmetit të 26 nëntorit në Durrës nuk i mbijetoi dot as pallati i ndërtuar për VIP-at e viteve ’80. 

Edhe pse supozohet të ishte një ndër objektet më të sigurta në qytetin bregdetar, pasi aty strehoheshin personazhe të njohura të atyre viteve, pallati 5-katësh që ndodhet në qendër të Durrësit është dëmtuar rëndë nga tërmeti.

Ai ndodhet në Rrugën Tregtare dhe është shpallur i pabanueshëm, pasi ka pësuar dëmtime në strukturë dhe fasadë.

Mësohet se pallati që do të shembet është ndërtuar në vitet ’80 dhe nga tërmeti i fundit pësoi dëmtime të konsiderueshme, duke u shpallur i pabanueshëm.

Në këtë pallat kanë banuar këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, aktori Fadil Hasa, por edhe drejtues institucionesh të asaj kohe, hetues dhe prokurorë.

Ky pallat konsiderohej më i miri dhe më luksozi në ato vite, për vetë planimetrinë e brendshme, ku kishte një hapësirë të konsiderueshme.

Edhe pse Parashqevi Simaku ka 27 vjet që ka emigruar në SHBA, ai njihet si pallati i Parashqevisë.

Ndryshe nga hetuesit e prokurorët që urreheshin masivisht nga qytetarët durrsakë, Parashqevi Simaku adhurohej jo vetëm për zërin, por edhe për bukurinë e saj. Ndaj dhe pallati në fjalë, edhe sot e kësaj dite njihet si pallati i Parashqevi Simakut.