Administrata tatimore parashikon një vit sfidues sa i takon rritjes së të ardhurave dhe reduktimit të informalitetit e evazionit fiskal në ekonomi.
Në strategjinë aftamesme të manaxhimit të financave publike 2019-2022 përcaktohen qasjet që do të ndiqen në këtë drejtim.
Fokusi kryesor do të jetë menaxhimi në mënyrë efektive, efikase dhe transparente të të ardhurat tatimore, përmes rritjes së numrit të tatimpaguesve që përmbushin detyrimin ligjor për të paguar tatimet dhe rritjes së normës në mbledhjen e taksës mbi pronën. Në dokument, dalin në pah edhe problematikat në këtë aspekt, që kanë sjellë një informalitet të lartë në ekonomi.
Konkretisht, nënvizohet se, sistemi tatimor është prekur nga ndryshimet e shpeshta të politikave, të cilat mund të kenë minuar integritetin e tij, dobësuar bazën tatimore dhe vështirësuar mbledhjen e të ardhurave; ka pasur vonesa të konsiderueshme në rimbursimin e TVSH-së, dhe janë akumuluar detyrime të prapambetura tatimore.
Ndërsa evidentohet se zbatimi i metodologjisë bashkëkohore të menaxhimit të riskut të përmbushjes ka marrë shumë kohë dhe nuk është bërë ende efektive, gjë që e ka çuar administrimin në situatën aktuale, ku miliona euro mungojnë në buxhet.
Në këtë pikë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ketë si detyrë kryesore mbledhjen e borxhit tatimor si dhe plotësimin dhe saktësimin e regjistrit të tatimpaguesve.
Financat do të përqendrohen tek segmentet e tatimpaguesve me risk të lartë përmbushjeje, për sa u përket të ardhurave tatimore si dhe të krijojnë një procedure të automatizuar bazuar në risk për menaxhimin e rimbursimit të TVSH-së.