MENU
klinika

Lleshaj kërkon bashkëpunimin e qytetarëve

“Policia nuk ka festë, por do qëndrojë shërbim”

26.12.2019 - 13:06

Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri për të përballuar me sukses çdo situatë për festat e fundvitit.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një deklaratë për mediat tha se për të gjithë punonjësit e policisë nuk do të ketë festë, por shërbim.

Sipas tij fokusi i policisë menaxhimi i kufirit, siguria rrugore dhe ruajtja nga mjetet piroteknike.

“Policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore. E para në drejtimin e menaxhimit të të gjithë fluksit të kalimit në pikat kufitare. Vëmendje e madhe i kushtohet trafikut dhe sigurisë rrugore, luftës kundër krimit, mbajtje në monitorim të elementëve me precedent penal. Fokus i veçantë i policisë është ruajtja e festës nga zhurmat, shpërthimet, nga fishekzjarrët, kapsollat dhe mjete të tjera piroteknike”–  tha Lleshaj.

Lleshaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve me policinë.

“Bashkëpunim, telefonate me policinë e shtetit dhe të jeni të bindur që policia do të jetë në kohën e duhur aty ku është e nevojshme. Një numër i madh i policisë nuk do të ketë festë, do të jetë në shërbim”- vijoi ministri.

Ministri tha se bilanci i vitit që po lemë pas do të bëhet publik në janar, por tha se treguesit janë në nivelet më të mira historike.

“2019 ka qenë një vit i ngarkuar. Po i afrohemi mbylljes së vitit me tregues mjaft optimist sa i përket progresit të bërë. Në ditët e para të janarit do ti tregojmë treguesit, por di të them që gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike”- tha Lleshaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"2019 është një vit rekord për..."

“Nxitoni…”/ Ministri Lleshaj njoftim qytetarëve