Do të jetë një ditë e lodhshme për Policinë e Tiranës para, gjatë dhe pas derbit të kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”.
Nëpërmjet një njoftimi publik, Policia ka bërë të ditura masat që ka marrë në lidhje me këtë e ndeshje, e para nga futbolli shqiptar që luhet në impiantin e ri.
NJOFTIMI I POLICISË
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, në të gjithë territoret jashtë stadiumit dhe në të gjitha rrugëkalimet.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara:
Sheshi “Nënë Tereza”;
Pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”;
Rruga “Dervish Hima”;
Përreth stadiumit “Air Albania”;
Do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës.
Po kështu kërkon mirëkuptimin e tifozëve të Sport Klub Partizanit dhe Sport Klub Tirana që të zbatojë kërkesat e mëposhtme:
Tifozët e Sport Klub Partizanit do të grumbullohen te 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për te stadiumi “Air Albania” nga:
21 Dhjetori;
ura “Vasil Shanto”;
kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”,
rruga “Sulejman Delvina”;
Libri Univeristar;
Presidenca drejt për tek COIN;
Hyrjet te tribuna N dhe E të stadiumit dhe anasjelltas;
Tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për te stadiumi “Air Albania” nga;
Ministria e Brendshme, Pedonalja;
rruga “Xhorxh Bush”;
Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”;
Ambasada e SHBA-së;
Kthim në rrugën “Dervish Hima;
Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari”;
Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas;
Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.
Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.
Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi.