Qeveria do të lehtësojë nga barra fiskale bizneset të cilat kanë patur dëme nga tërmeti i 26 Nëntorit në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë.
Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera thotë se bizneset e dëmtuara që kanë vonesa në deklarime nuk do të gjobiten, ndërkohë që do të pezullohet çdo kontroll apo verifikim nga tatimet përgjatë periudhës së rindërtimit.
“Nëse do të ketë deklarime të vonuara nga biznesi gjobat do të hiqen e dyta për të tërë bizneset që ndodhet në zonat e ndërtuara do të pezullohet çdo kontroll apo verifikim e treta nëse do të ketë probleme për pagesën e detyrimeve tatimore MF ka udhëzuar këto biznese të deklarojnë nëse kanë aktivitet në këto periudha.
Edhe nëse deklarojnë me vonesë thashë që gjobat nuk do të aplikohen dhe nëse kanë probleme me aftësinë paguese ato kanë të drejtën e tyre dhe administrata tatimore është e detyruar të shtyjë pagesat në kohë pra ne kemi një nen për pagesën e pagimit me këste dhe në çdo tatimpagues duke analizuar rast pas rasti problematikën e tyre ne mund të shtyjmë deri në 2 vjet pagesën e tatimeve.”- tha Lera.
Brenda masave lehtësuese Lera thotë se do të konsiderohet edhe njohja si shpenzime të zbritshme të donacioneve që jepen për qëllim rindërtimin si dhe përjashtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimin dhe TVSH-ja për të gjitha mallrat, shërbimet dhe kompanitë e ndërtimit që do të autorizohen për zbatimin e projektit të riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.
“Ministria e Financave ka iniciuar një sërë aktesh normative siç është ai i njohjes së shpenzimeve të zbritshme për rastet e donacioneve për fatkeqësisë apo aktet e tjera normative apo ndryshime e tjera ligjore që kemi paraqitur në kuvend.
Por ndryshimi më madhorë që kemi paraqitur është përjashtimi nga TVSH të gjithë procesit të rindërtimit. Taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja është zero pra TVSH është zero ose e thënë me gjuhën e ligjit e përjashtuar dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë do të jetë zero”- pohoi Niko Lera.
Ende nuk ka të dhëna zyrtare për faturën e dëmeve që shkaktoi tërmeti për ndërmarrjet në këto zona, por sipas dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës vetëm në këtë qark llogariten mbi 1000 biznese që kanë pësuar dëme.