Tjetër gol për sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Armando Sadiku vazhdon të shënojë me fanellën e Malagas. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, ka shënuar sot golin e tij të 5-të në 14 ndeshje të luajtura.
Ai ka dhënë avantazhin skuadrës së tij kundër Tenerifes, një duel delikat që luhet për t’iu larguar fundit të klasifikimit. Titullar si zakonisht, ashtu si Keidi Bare, Sadiku ka gjetur rrjetën në minutën e 27’ pas një goditje nga këndi.
Sadiku u tregua i aftë t’i shmangej mbulimit të mbrojtjes për të dërguar topin në rrjetë. Një goditje prej nuhatësi të vërtetë brenda zonës, që i dha avantazhin Malagas në këtë sfidë delikate.
Trajneri kishte kërkuar përforcime në sulm në janar, por duket qartësisht se kushdo që do të vijë, do të jetë zgjedhje e dytë pas bomberit shqiptar.