MENU
klinika

Përplasja me SHÇBA

Shpërthen Lleshaj: O të mjerë, do jepni llogari!

02.12.2019 - 14:11

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e sotme publikuan disa pamje të punonjësve të SHBÇA-së, të cilët po shkarkonin disa qese me ndihma të “Fundjava Ndryshe”, për t’i futur në institucionin e Ministrisë së Brendshme, ku edhe kjo strukturë është e vendosur.

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kanë pretenduar se ndihmat që ishin për banorët e prekur nga tërmeti, po vidhen nga punonjësit e SHÇBA-së.

Por për të gjithë këtë situatë, ka reaguar vetë SHÇBA-ja, duke sqaruar edhe episodin e pamjeve që u shpërndanë në rrjete sociale e më pas në disa media.

SHÇBA-ja thotë se pakot me ndihma janë prova materiale të sekuestruara në operacionin e datës 28.11.2019, ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

“Procedimi i shtetasve të mësipërm u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Me urdhër te Prokurorisë, të gjitha provat materiale të sekuestruara gjatë këtij operacioni janë magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, ku është mbajtur proces-verbali përkatës.

Drejtoria e Përgjithshme e SHÇBA, e cila po heton rastin konkret i ka zyrat në godinën e Ministrisë së Brendshme. SHÇBA apelon mediat të kontaktojnë për të marrë informacion zyrtar për lajme që lidhen me Shërbimin, për të shmangur dezinformomini e qëllimshëm te publikut. SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojne çdo rast abuzimi, duke vënë në dispozicion numrin falas 0800 90 90.”-ka deklaruar SHÇBA.

Për këtë ngjarje, reagim të ashpër ka pasur edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku ka paralajmëruar se mediat që e kanë përcjellë si lajm, ose duhet që ta vërtetojnë, ose do japin llogari para ligjit.

Reagimi i Lleshajt:

Edhe korbat kemi mangut….

Teksa jam në Kurbin, në punë për menaxhimin e gjendjes së rëndë, më njoftojnë se disa pisa pa nder dhe dinjitet kanë publikuar një mashtrim të ulët.

Patjetër që duhet të jenë me shumë përvojë në poshtërsira, përderisa imagjinata perverse e tyre prodhon turpe të tilla.

O të mjerë! Ato qese, që kanë ngazëllyer maninë tuaj perverse, janë prova materiale, që i janë kapur një hajduti si puna juaj dhe nuk po shkojnë në zyrën e Ministrit të Brendshëm, por në depon e provave materiale të SHÇBA, struktura që po kryen hetimin në zbatim të detyrave të prokurorit përgjegjës. Për këtë turp, tani keni dy rrugë:

Ose të provoni lajmin e rremë, ose të jepni llogari deri në një para ligjit, si mashtrues ordinerë, që shfrytëzoni gjendjen e rëndë për të bërë biznesin e ndyrë me lajme të rreme.

Zgjidhni…..

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN