MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Shpopullimi masiv, gjithkund bâhen përpjekje me trajtue si problem sigurie

21.12.2019 - 21:34

Nji shoq prej BDI-së po kallxon: veç këtë vit 14 policë shqiptarë në Kërçovë e kanë lanë punën e janë largue jashtë vendit.

Dikur ka qenë nji ândërr gati e pamundshme që nji polic me qenë shqiptar, âshtu si ândërr u kujtue edhe koha kur nënpërfektura e Kërçovës ishte nën juridiksionin e Shqipnis’ në Luftën e Dytë Botnore e qyteti i pati xhandarët e vet plisbardhë.

Përtej këtij kaleidoskopi ku vazhdon ikja e njerëzisë, pyetja e parë që shtrohet âsht sa kanë me i qëndrue sprovave të arritunat shqiptare në Maqedoni kur ikjet janë kthye në përditshmëni?

Mëtimi me qenë element shtetformues ligshtohet kur gjeohapësina shqiptare bjerret demografikisht.

Përtej Maqedonisë, a ka korelacion siguria kombëtare me shpopullimin masiv? Po! Ekspertët e sigurisë në Serbi shpopullimin e konsiderojnë si nji prej tri kërcënimeve kryesore të sigurisë. Prej 4600 vendbanimeve rurale në Serbi, afër 2 mijë sosh veç janë shpopullue. Janë këto të dhana zyrtare edhe nga vetë Akademia e Shkencave në Serbi.

Historiani, Arnold Toynbee thotë që persistenca e nji qytetnimi âsht aftësia e tij me iu gjet përgjigjje efikase sprovave të kohës. Ato që mbijetojnë janë kryesisht ato që gjejnë mjete efikase sprovave; ato që s’mbijetojnë janë ato që nuk iu përgjigjen sprovave.

Gjithkund n’fqinjëri bahen përpjekje me e trajtue shpopullimin e me e konsiderue si problem sigurie. Këtu shpopullimi vazhdon me u konsiderue si nji ofshamë lehtësimi për estabilishmente politike. Ikjet sot janë mënyra ma e mirë e amortizimit të resentmenteve sociale…