Kuvendi voton sot kandidatin për Kryeprokurorin e Përgjithshëm, me mandat 7-vjeçar mes 3 kandidaturave.
Mësohet se grupi PS ka vendosur të votojë kandidaturën e Olsian Çeles
Olsian Çela është rënditur i pari sipas pikëzimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në bazë të aftësive profesionale, integriteti moral dhe aftësive organizative.
Lista pason me Arta Markun dhe në vendin e tretë sipas pikëve ndodhet Fatjona Memçaj.
E zgjedhur si Kryeprokurore e Përkohshme vetëm me votat e PS, Arta Marku qëndroi 2 vite në detyre si drejtuese e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa tani kërkon edhe një mandat të plotë 7 vjeçar në një garë të ngushtë me Prokurorin e Krimeve të Rënda Olsian Çela që sipas renditjes së KLP është më i favorizuar se Marku dhe Prokuroria e Apelit Fatjona Memçaj.
PS i duhen 84 vota për të zgjedhur të preferuarin e saj ndërmjet këtyre tre emrave, dhe për këtë duhet të ketë edhe votat e opozitës së re, e cila kohet e fundit nuk ka nguruar të bashkojë kartonat me mazhorancën.
Megjithatë ligji parashikon se në rast se Kuvendi nuk plotëson numrin e nevojshëm të votave atëherë kandidati i renditur i pari në listën e KLP, në këtë rast Olsian Çela zgjidhet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.
Në të njëjtën seancë plenare do të miratohet edhe buxheti për vitin 2020 si dhe akti normativ për dhurimin e 17 apartamenteve për familjarët e viktimave të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.