Tetë ditë pas tërmetit të fortë që tronditi Shqipërinë, vendit do t’i rikthehen aktivitetet sportive zyrtare. Më 4 dhjetor do të luhet takimi i kthimit të turneut të Challenge Cup mes Erzenit dhe Partizanit në volejboll për meshkuj.
Ky takim i dytë ishte planikuar të luhej mesjavën e kaluar, por u shty për shkak të tërmetit. Ndeshja do të luhet në mjediset e Akademisë Goga në Xhafë Zotaj, pikërisht në një nga zonat më të prekura nga tërmeti, por që impianti nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Takimi do të gjykohet nga dy gjyqtarë shqiptarë: Igli Feshti dhe Arjan Shehu.
Po më 4 dhjetor volejbolli shqiptar do të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare me një tjetër ndeshje. Pas eliminimit nga turneu i Champions League, skuadra e Partizanit në volejboll për femra do të luajë ditën e mërkurë ndaj spanjolleve të Sanaya Libby’s La Laguna, ndeshje e vlefshme për Kupën CEV.
Ndeshja e parë do të luhet më 4 dhjetor në Tenerife në orën 20:00, ndërsa takimi i kthimit pas një jave në Tiranë. Në këtë ndeshje, Partizani do të luajë vetëm me lojtare nga Shqipëria, pasi të gjitha volejbollistet e huaja janë larguar së bashku me trjnerin turk pas eliminimit nga Champions.
Ndërsa basketbolli shqiptar do të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare me Vllazninë, që merr pjesë për herë të dytë në Ligën Ballkanike. Kuqeblutë do të ndeshen të mërkurën me Academic Bultex, sfidë që do të luhet në Bullgari në orën 17:30.