MENU
klinika

Anton Harapi për Shqipërinë

“Ta bajmë monumentin kombëtar Bashkimin e Shqiptarëve”

11.12.2019 - 07:29

Komunizmi ka shuar shumë nga ata njerëz që në një mënyrë a në një tjetër I kanë dhënë një kontribut të pashoq çështjes shqiptare në tërësinë e saj.

Një nga këto jetë ka qenë padyshim edhe jeta e At Anton Harapit, klerikut të nderuar që I kishte falur perëndia dhunti morale dhe talente të shumta në fusha të ndryshme që e dallonin atë. Ndër të tjera, ai njihej edhe si orator i spikatur jo vetëm në Shkodër por edhe anë e mbanë Shqipërisë.

71 vite më parë, At Anton Harapi dënohet me pushkatim nga “gjyqi i popullit”, si “armik” dhe “tradhëtar”, trupi i vdekur i të cilit u hodh diku në afërsi të Tiranës, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite nuk i dihet ende vendi i prehjes së tij tëë fundit.

Një kërkesë e zjarrtë dhe shumë e kërkuar është që minimalisht kësaj figure të madhe t’i zbulohet varri i tij dhe varret e shenjta të të gjithë atyre që u pushkatuan nga regjimi enverist i nxitur, për zhdukjen e patriotëve dhe intelektualëve më të dalluar të kombit shqiptar, nga sllavo-komunistët armiqtë historikë të shqiptarëve.

Ishte amaneti i tij që, “Eshtënët e mi në tokën e Parëvet të jenë testamendi em.” Por, ai nuk dinte se, për regjimin komunist nuk mjaftonte që ai si kundërshtar tij të pushkatohej, por duhej që edhe eshtrat t’i treteshin”. Por as zhdukja fizike nuk mund ta zbehte respektin që Harapi dhe jo vetëm, kishte në popull.

Një nga ato vepra është edhe fjalimi që Harapi mbajti para qindra njerëzve me rastin kthimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit.

Ishte viti 1915 kur ushtria malazeze kaloi kufirin dhe pushtoi Shkodrën. Ushtria sllavo-malazeze u detyrua të zhvillonte luftime me malësorët shqiptarë. Ndër të tjerë, atyre iu ishin bashkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazez edhe patriotët e kombit, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli.

Pushtuesit sllavë organizuan menjëherë vrasjet, ndjekjet dhe internimet kundër patriotëve shqiptarë, duke vrarë, Isa Boletinin, Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin, por edhe Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin, të cilët thuhet se kishin shkuar në Shkodër për t’iu bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav.

Për një periudhë prej 20-vjetësh thuhet se eshtërat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nuk kishin varrë të tyre në fshatin Shtoj të Shkodrës, por zbulohen në vitin 1936. Eshtrat e dy dëshmorve dërgohen në Gjirokastër, por jo më parë se Shkodra tu jepte këtyre patriotëve një lamtumirë madhështore dhe me fjalime prekëse nga ndër të tjerë, edhe At Anton Harapi.

Fjalimi i At Anton Harapit para mijëra qytetarëve të Shkodrës me rastin e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit për në vendilindje më 1936, është cilësuar si një fjalim klasik, i pa krahasueshëm me ndonjë tjetër në historinë e oratorisë shqiptare.

“DY LOTË E NJË BETIM

Ndalnju! Ku veni, o burra ?!…

Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.

Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !

Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.

Eshtën të pamort, u falem ! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.

E udha e mbarë u qoftë !

Veç, o burra, që vdekun, flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe, lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshem.

Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.

Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.

Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.

Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.

Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.

Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ? Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?

Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone për piri.

Zotnijë të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun.

T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptaret janë njimend burra; se mund te jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.

Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;

Me Zot e me Atdhe të lumnojmë ! “

(Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, ” Hylli i Drites”, Shkoder 1936.)

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët