MENU
klinika

Bilanci në Lezhë/ 1733 banorë në çadra

Xhafaj: Do jemi pranë qytetarëve dhe në ditët e festave

30.12.2019 - 21:05

Më shumë se një muaj pas tërmetit, shtabi i emergjencave në Lezhë ka bërë bilancin e dëmeve nga tërmeti në këtë qark.

Sipas Përfaqësuesit të Komitetit Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë Etjen Xhafaj, janë 136 pallate të dëmtuara nga tërmeti në gjendje të rëndë në të gjithë qarkun, 2165 apartamente, 1818 shtëpi dhe 34 institucione publike.

Grupet e vlerësimit kanë vazhduar punën edhe sot dhe do të vazhdojnë edhe nesër për të vlerësuar dëmet pranë shtëpive dhe për të parë nevojat e qytetarëve nëpër çadra.

Në shkallë qarku janë 1040 familje që kanë aplikuar për bonuse qiraje dhe deri tani janë miratuar 792 prej tyre. Në total në nivel qarku numri i çadrave të vendosura në terren është 453 dhe në to janë vendosur 1733 banorë.

“Numrat e emergjencave dhe strukturat mbështetëse të tre bashkive në qarkun Lezhë do të vazhdojnë të jenë në krye të punëve për t’iu gjendur pranë qytetarëve edhe gjatë ditëve të festave.

Gjithashtu do të kemi pranë edhe grupet e ushtrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të mundësuar hapjen e çadrave të tjera”- deklaroi Xhafaj.